Seanca në GJKKO/ Veliaj “flak si leckë” avokatin Artan Gjermeni
Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka flakur si leckë avokatin Artan Gjermeni, pasi gjykata e posaçme i ka refuzuar kërkesën që të mos qëndrojë në kafazin e qelqtë të sallës gjyqësore.
Për momentin janë të paqarta arsyet e këtij trajtimi që Veliaj i ka bërë avokatit të tij kryesor. Gjykata ka caktuar Valentina Teodorescun si “avokate kryesisht” për Veliajn, i cili është i pranishëm në seancën e kësaj të Premteje (12 dhjetor 2025), ku po shqyrtohet kërkesa për kalimin në gjyq të çështjes së tij.
“Lëvizja” e Veliajt për shkarkimin e Gjermenit mund të jetë edhe një manovër për të siguruar një shtyrje të radhës së seancës, një proces të cilin ai e ka ndjekur tashmë prej disa muajsh nëpërmjet veprimeve të avokatëve.
Megjithatë, ndërkohë që Erion Veliaj po tenton të luajë të gjitha fijet për të sajuar shkelje proceduriale, ajo që bie më shumë në sy është fakti që avokatët e tij, e sidomos Artan Gjermeni, pranojnë që të trajtohen si lecka për të fshirë “manovrat” e kryebashkiakut të arrestuar.
Artan Gjermeni ka qenë pjesë e sistemit gjyqësor për një kohë të gjatë. Ai është akuzuar publikisht se ka pasur lidhje me anëtarë të bandave të armatosura. Gjermeni, megjithëse një gjyqtar me shumë pikëpyetje të errëta, u përfshi në procesin e rivlerësimit në një kohë shumë të vonë. Ka pasur qëndrime publike që thoshin se “zvarritja e Vetingut” për Artan Gjermeni u organizua nga Partia Socaliste e Edi Ramës, të cilës gjyqtari i ka shërbyer më së miri.
Në momentin që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), nuk kishte më asnjë mundësi reale për t’i shtyrë procesin e Vetingut, Artan Gjermeni dha dorëheqjen dhe tashmë, si avokat, ka marrë edhe rolin e “leckës” së Erion Veliajt./Boldnews.al