Lirohet nga burgu ish-deputeti Alqi Bllako pasi vodhi 190 mijë euro
Ish-deputeti socialist Alqi Bllako është liruar sot nga burgu i Fierit, menjëherë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Pas gati gjashtë orësh seancë dhe tërheqje për vendim, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj e shpalli fajtor Bllakon për korrupsion pasiv, duke konstatuar se ai kishte përfituar 119 mijë euro dhe 7 milionë lekë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
GJKKO e dënoi ish-deputetin me 4 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite e 8 muaj. Duke qenë se ai kishte qëndruar në paraburgim për një periudhë më të gjatë se kjo, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm.
Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi që Alqi Bllako të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Vendimi për Bllakon vjen në kuadër të dosjes së inceneratorëve, një nga çështjet më të bujshme të hetuara nga SPAK, ku përfshihen edhe disa ish-zyrtarë të lartë të administratës socialiste.