Lidhje


I shpëton burgut Dir Çausholli i Unazës, oligarkët e Shëndetësisë e kursejnë

Një nga skemat më të sofistikuara të mashtrimit me barnat e rimbursueshme, duke lëshuar tetë masa sigurie ndaj zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe përfaqësuesve të kompanive farmaceutike të përfshira është goditur ditën e sotme.

 

Në listën e personave nën hetim janë administratori i “CFO Pharma”, Frigul Milla, kompania e cila është në pronësi të oligarkut Nadir Çausholli, si dhe drejtori i FSDKSH, Spartak Zekja.

 

Të përfshirë janë gjithashtu punonjëset Alba Zylfo, Jona Berberi, Lorela Ballabani, Zade Mali, Romina Agalliu dhe Esjana Gjishti, të akuzuar për veprat penale “Falsifikim dokumentesh” dhe “Fshehje të ardhurash”.

 

Sipas burimeve zyrtare, janë ekzekutuar shtatë nga masat e sigurisë, teksa drejtori i Çaushollit Frigul Milla është shpallur në kërkim. Për drejtorin e FSDKSH Zekja dhe disa nga vartëset e tij janë dhënë masa ndalimi, pezullimi nga detyra dhe detyrimi për t’u paraqitur në polici.

 

Hetimet kanë zbuluar një skemë mashtrimi me fatura dhe inventarë fiktivë për medikamentet “Foster” dhe “Trimbow”, përmes së cilës kompanitë përfitonin fonde të mëdha rimbursimi nga FSDKSH.

 

Në qendër të kësaj skeme qëndronte kompania “CFO Pharma”, e cila, në bashkëpunim me subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, dhe me ndihmën e zyrtarëve të Fondit, dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme përmes dokumenteve të falsifikuara.

 

Ndërkohë, pronari i “CFO Pharma”, Nadir Çausholli, i cili është përmendur në dosje si përfitues indirekt i skemës, nuk është përfshirë në masat e arrestit, duke ngritur pikëpyetje mbi trajtimin e tij nga drejtësia. Ky i fundit ka bërë burg më parë për të njëjtën akuzë, por tashmë duket se oligarkët e Shëndetësisë e janë kursyer pasi Diri nuk e mban dot burgun.

 

SKEMA

Në qendër të hetimit qëndron Frigul Milla, administrator i kompanisë “CFO Pharma”, i cili është në kërkim dhe ndaj të cilit është dhënë masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve në bashkëpunim” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

 

Sipas Prokurorisë, Milla ka ngritur një skemë mashtrimi të mirëorganizuar përmes kompanive “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” (në dosje e referuar edhe si “Nedix Albania”), të cilat dyshohet se i ka përdorur për të gjeneruar fatura dhe inventarë fiktivë. Në sistemin shtetëror “Edepo” janë regjistruar të dhëna të rreme që paraqisnin sikur “CFO Pharma” kishte blerë barna “Foster” dhe “Trimbow” nga këto subjekte, duke krijuar kështu një zinxhir transaksionesh të rreme për të përfituar fonde nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

 

Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit Ilir Shehu administrator i kompanisë “Medicamenta”, importues ekskluziv farmaceutik i licencuar dhe kontraktuar me FSDKSH. Ai denoncoi se “CFO Pharma”, në bashkëpunim me “Pharma Plus”, “Medix Albania” dhe disa zyrtarë të Fondit, kishte krijuar një rrjet mashtrues me fatura fiktive, përmes të cilit përfitoheshin shuma të konsiderueshme nga fondet e rimbursimit të barnave.

 

Të dhënat e mbledhura nga FSDKSH, Drejtoria e Statistikave dhe raportet e konsumit të barnave konfirmuan ekzistencën e një skemë të gjerë korrupsioni, ku “CFO Pharma” shërbente si bërthama e operacionit, në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarë të lartë të Fondit.

 
 

Në këtë skemë, “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” rezultojnë se janë shpërndarës të krijuar de facto nga pronari i “CFO Pharma”, të cilët kishin nënshkruar kontrata me FSDKSH duke deklaruar inventarë fiktivë për të krijuar iluzionin e një aktiviteti ligjor.

 

  • “Pharma Plus” raportoi 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimbow”, me vlerë 10 milionë lekë, pa asnjë blerje reale.
  • “Medix Albania” deklaroi 4000 kuti “Foster” dhe 11,500 kuti “Trimbow”, me vlerë 60 milionë lekë, po ashtu pa asnjë blerje.

Miratimi i këtyre inventarëve të rremë nga zyrtarët e FSDKSH, sipas Prokurorisë, tregon përfshirje direkte të tyre në skemën mashtruese. Pas kësaj, shitjet fiktive nga “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë regjistruar si transaksione reale drejt “CFO Pharma”, e cila më pas ka lëshuar fatura false drejt disa farmacive, duke justifikuar qarkullimin financiar.

 

Në dosje përfshihet edhe drejtori i FSDKSH, Spartak Zekja, i cili dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” (neni 186/3 i Kodit Penal). Sipas hetimeve, ai ka nënshkruar kontrata për qarkullimin e barnave të rimbursueshme midis Fondit dhe kompanisë “Pharma Plus”, duke u bërë pjesë e procedurave që legjitimonin skemën.

 

Në hetim janë gjithashtu punonjëset e Fondit, Romina Agalliu, Zade Mali dhe Esjana Gjishti, të cilat kishin për detyrë të verifikonin fizikisht barnat e deklaruara në inventarët e “Medix Albania”. Sipas Prokurorisë, ato kanë hartuar raporte të rreme duke pohuar se kishin gjetur në magazinën e kompanisë 4000 kuti “Foster”, ndonëse ato nuk ekzistonin realisht.

 

Hetimet po vijojnë për të zbardhur nivelin e përfshirjes së zyrtarëve të tjerë dhe lidhjet financiare që kanë mundësuar funksionimin e kësaj skeme mashtrimi që ka dëmtuar buxhetin publik me dhjetëra miliona lekë.

 

AKUZAT DHE MASAT

 

1.Alba Zylfo , e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”. masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;

 

2.Jona Berberi, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim, masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;

 

3.Lorela Ballabani, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”. masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”’;

 

4.Spartak Zekja, i dyshuar për kryerjen e vepres penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”;

 

5.Zade Mali, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”;

 

6.Esjana Gjishti, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”;

 

7.Romina Agalliu, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

 

XS
SM
MD
LG