Kush janë kryebashkiakët që paguajnë “Viola Green” edhe pas arrestimit të Bujar Shegës
Në nëntor 2024, SPAK goditi grupin kriminal të drejtuar nga Suel Çela, duke i dhënë thuajse fund dominimit dydekadësh të klanit mafioz Çapja. Personi që cilësohet si “truri financiar” i organizatës është 52-vjeçari Bujar Shega, i njohur edhe si Marsel Shega, i cili u arrestua në Itali dhe më pas u ekstradua në Shqipëri në prill 2025.
Shega akuzohet për trafik narkotikësh dhe pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai rezulton administrator dhe bashkëpronar i kompanive “Viola Green” dhe “Wonder Green”, të cilat kanë përfituar miliona euro tendera për pastrimin e qyteteve, kryesisht në qarkun e Elbasanit. Aktualisht, të dyja kompanitë po hetohen edhe për pastrim parash nga trafiku i kokainës.


Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, përmes llogarive të “Viola Green” kanë kaluar rreth 9 milionë euro fonde publike për shërbimin e pastrimit. Megjithatë, ky shërbim ka qenë kryesisht fiktiv, pasi mbetjet janë djegur në fusha të hapura ose janë hedhur në lumenj. Për këtë arsye kompania është edhe gjobitur.

Edhe pse pas arrestimit të Shegës kompania nuk ka fituar tendera të rinj, ajo vijon të përfitojë qindra mijëra euro nga kontratat e firmosura më herët. Fondet kalohen nga disa bashki të qarkut, mes tyre Bashkia Elbasan e drejtuar nga Gledian Llatja, Bashkia Kuçovë me kryebashkiak Kreshnik Hajdarin (i dënuar me 9 muaj burg nga GJKKO), Bashkia Peqin me kryetar Bukurosh Maçin, Bashkia Rrogozhinë me Edison Memollën dhe Bashkia Cërrik e drejtuar deri në shtator 2025 nga Andis Salla, tashmë ministër i Drejtësisë.

SPAK dyshon se kontratat janë lidhur nën ndikimin e organizatës kriminale ku ishte pjesë Shega. Në dosje përmendet se kryebashkiakë, drejtorë dhe madje edhe deputetë shiheshin si administratorë ose “ushtarë” të vendosur nga grupi që kontrollonte Elbasanin.

Një raport sekret i shërbimeve inteligjente, i ndarë edhe me Ambasadën Amerikane dhe SPAK-un, identifikon si “xhol” për tharjen e fondeve publike në Elbasan biznesmenin Eral Myftaraj. Ai përshkruhet si “bankomati” i ish-ministrit Bledi Çuçi. Sipas raportit, për të shmangur hetimet e SPAK-ut, Myftaraj përdorte njerëz të afërt si Erind Bengu, Arbër Zaimi, Erald Çeku, djalin e tij Mateo Myftaraj dhe Nexhmije Çela për të manipuluar bilancet.

Paratë janë qarkulluar përmes kompanive METEO, AL-MEXWOOD, ALMEX GREENWOOD dhe HXH. Vetëm përmes METEO-s dhe AL-MEXWOOD-it, Myftaraj ka marrë afro 60 milionë euro tendera publikë.

Në dosjen e SPAK për Suel Çelën përmendet edhe drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Elbasan, Luan Tabaku, i cilësuar si një “ushtar” i drejtpërdrejtë i Çelës. Komunikimet e siguruara nga aplikacioni Sky ECC tregojnë se Tabaku merrte udhëzime të vazhdueshme nga kreu i grupit kriminal, madje e shoqëronte shpesh në makinë duke u fshehur në sediljen e pasme për të mos u parë nga të tjerët. Në bisedat mes anëtarëve të grupit, Tabaku përshkruhej si “i bindur” dhe i vendosur, ndërsa vetë Çela shpesh e trajtonte me përçmim, duke e konsideruar si “bythëgrisur që duhet mbajtur në kontroll”.

Në një tjetër bisedë të gushtit 2020, Çela i thotë një anëtari se Tabakun e takonte rregullisht, duke shtuar: “E mbaj në shina, vjen dy herë në javë, ndërron makina, ulet mbrapa që të mos e shohin. Flisni në telefon me të sa më pak”.

Hetimet tregojnë se Tabaku ka firmosur tendera miliona euro në favor të Myftarajt. Vetëm më 27 janar 2025, ai i dha AL-MEXWOOD-it një kontratë prej 2.5 milionë eurosh për rikonstruksionin e ujësjellësit në fshatrat Trash, Karthnek dhe Sheze të Bashkisë Peqin. Në këtë tender mori pjesë vetëm kompania e Myftarajt, ndërsa oferta fituese ishte e barabartë me fondin limit.

Një tjetër kontratë, me vlerë 7 milionë euro, iu dha në korrik 2023 përmes kompanisë METEO, për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në zonat informale të Elbasanit. Edhe në këtë rast, tenderi u paracakua dhe ofertat e tjera u skualifikuan.

Sipas SPAK, tenderat janë dhënë me skenar të paracaktuar, duke u shpallur fituese ofertat me vlerë sa fondi limit dhe më pas duke manipuluar zbatimin e kontratave. Praktika të tilla shërbyen për ndarjen e parave publike mes palëve të përfshira. Faktet tregojnë se Eral Myftaraj është përdorur herë nga politika e korruptuar dhe herë nga krimi i organizuar për të përvetësuar fondet publike, duke dëmtuar drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë./JOQ