Lidhje


Nga shtatori bëni gati 10€ për të kaluar në tunelin e Llogarasë

Nga muaji shtator, drejtuesit e mjeteve që do të kalojnë në tunelin e Llogarasë do të duhet të paguajnë një tarifë prej 10 eurosh për vajtje-ardhje në segmentin Dukat–Palasë.

 

Deri më tani, kalimi ka qenë falas, pasi qeveria kishte vendosur që rruga të përdorej pa pagesë gjatë gjithë sezonit turistik veror. Sipas parashikimeve, deri më 15 shtator qarkullimi do të vijojë pa tarifë, ndërsa më pas do të nisë zbatimi i pagesës.

 

Menaxhimi i tarifave dhe funksionimit të kësaj rruge do të bëhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, një shoqëri aksionere me kapital shtetëror që vepron nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo kompani do të ketë në ngarkim sistemin e vetëpagesës, mirëmbajtjen e portave automatike, shpërndarjen e biletave dhe abonimeve mujore për përdoruesit e shpeshtë.

 

Aktualisht, në Shqipëri janë tre akse rrugore ku aplikohet pagesa: Milot–Morinë, Thumanë–Kashar dhe tashmë edhe Dukat–Palasë, përmes tunelit të Llogarasë./joq

XS
SM
MD
LG