4 vite nga tenderi që bashkoi PD-në e Bashës, me PS-në e Ramës

Më 3 gusht 2021, JOQ Albania publikoi tenderin e shpallur nga bashkia Lushnje, të cilën e mori në drejtim Eriselda Sefa pas arrestimit të kryebashkiakut të atëhershëm, Fatos Tushe për korrupsion dhe fshehje pasurie. Kjo ngjarje në vend që të ishte një moment reflektimi për administratën lokale, ndezi akoma më shumë dëshirën për skandale në fushën e tenderave.
Kjo lëvizje atë kohë, fill pas arrestimit të kryelushnjarit, tregoi se tradita e korrupsionit dhe lidhjeve të dyshimta është e fortë. Burgoset në i korruptuar, del në dritë një i korruptuar tjetër. Tenderi për pastrimin dhe grumbullimin e mbetjeve urbane me një fond limit prej 31 mln lekësh, nxori në pah një skandal tjetër, pasi kompania me çmimin më të ulët u skualifikua nga gara.
Kush u shpall fituese? E dimë që nuk e mbani mend, por për rikujtesë, tenderin në fjalë e fitoi firma REJ e Luan Kaprit. Biznsmeni i djathtë Luan Kapri është kushëriri i Eduard Kaprit, ish-kryebashkiakut demokrat të Pogradecit, por kur bëhet fjalë për para dhe biznes nuk pyetet për parti. Bashkëpunimi me socialistët i Kaprit ngjalli dyshime mbi ndikimin politik në këtë tender.
Asokohe PD e drejtuar nga Lulzim Basha dhe PS që qeveriste vendin në mandatin e dytë, edhe pse ishin dy forca politike në krah të kundërt sidomos kur ofronin show në parlament, apo në selitë e tyre, në tenderin e Lushnjes u bënë një forcë e vetme.
Pavarësisht ideologjisë, biznesmeni demokrat Kapri fitoi tenderin e shpallur nga kryebashkiakja socialiste e Lushnjes. Popull i nderuar, ky tender i dhënë si sot para 4 viteve tregon se si PS e PD e gjejnë gjuhën e përbashkët kur bëhet fjalë për pasuri dhe favore reciproke./joq