Lidhje


Radha e Pallatit të Kongreseve për t’u shembur e për t’u ringritur mes kullave

Si një turmë e shushatur, e aftë vetëm t’iu bindur urdhrave të partisë, këshilltarët bashkiakë të PS së Tiranës votuan të enjten pro një vendimi që i hap rrugën ndërhyrjes në Pallatin e Kongreseve, sipas një projekti ende të panjohur në zemër të kryeqytetit. Me shumicën e votave të Partisë Socialiste, një sipërfaqe prej mbi 2 mijë metrash katrorë, në pronësi të Bashkisë së Tiranës, iu kalua Ministrisë së Ekonomisë. por pa sqaruar pyetjet më të thjeshta: Për çfarë po jepet kjo pronë? Cili është qëllimi përfundimtar? Dhe, çfarë do të ndodhë me Pallatin e Kongreseve?

 

Gjatë mbledhjes, ishte këshilltari i opozitës Ilir Alimehmeti që kërkoi më shumë transparencë mbi këtë vendim të njëanshëm, duke vënë në dukje përmasat jo të vogla të truallit në fjalë: “Ky rrip i vogël pas Pallatit të Kongreseve, kujtoj se ky rrip i vogël është 2 mijë e 260 metra katrorë. Ju a keni dijeni? A do të ndërtohet një kullë aty?”

 

Por përgjigjja që mori ishte banale në përmbajtje dhe e shpifur në tonalitet, tipike për një administratë ku nëpunësit firmosin verbërisht dhe irritohen nga kërkesa e llogarisë. Nënkryetarja Anuela Ristani, përfaqësuese e mazhorancës në Këshillin Bashkiak, u shpreh: “S’kam ç’të them unë. Si ta përcaktoj unë se çfarë do të ndërtohet? Mund të mos ndërtohet asgjë, mund të fshihet e gjitha dhe ta bëjmë Pallatin e Kongreseve në ajër të hapur. Nuk di të të them për këtë. Këtë e vendos ekspertiza që bëhet në momentin që e gjithë prona është vendosur në dispozicion.”

 

Të gjitha sinjalet sugjerojnë se skenari i shembjes së godinës dhe ndarja e truallit me privatin po ndjek pikë për pikë modelin e njohur të Teatrit Kombëtar vetëm se tashmë shoqëruar nga heshtja dhe indiferenca: fillimisht nxirret si pretekst fakti që godina është me “shenja amortizimi”, ka “degradim” dhe “infrastrukturë të vjetëruar”, sa për t’u njoftuar opinioni publik për ndërhyrjen, ndërsa në prapaskenë përpunohet një marrëveshje me kompanitë private të ndërtimit.

 

Aktualisht, Pallati i Kongreseve ka kaluar në regjistrat e Korporatës Shqiptare të Investimeve,  një entitet i krijuar nga qeveria për të ligjëruar pazarin me sektorin privat mbi pronat shtetërore.

 

Skenari është gjithmonë i njëjtë: godina rrafshohet dhe trualli ndahet për të ngritur kulla, privatët nxjerrin fitimet e tyre nga shitja e hapësirave tregtare, dhe më pas ndërtohet një variant i ri i funksionit shtetëror që shpesh qëndron si fasadë e investimit privat.

 

Në dokumentet prezantuese, nisma është paraqitur si përpjekje për të ruajtur funksionin aktual të objektit: “Projekti synon modernizimin e vendit ekzistues të kongreseve, duke rritur cilësinë dhe funksionalitetin e infrastrukturës për konferenca, evente kulturore dhe mbledhje publike, në dobi të organizatorëve, institucioneve dhe pjesëmarrësve.”

 

Por eksperienca tregon kur një objekt publik kalon në duart e Korporatës së Investimeve, prona private shndërrohet në një aksesor shtesë, duke humbur vlerën arkitekturore apo simbolikën që ka pasur më parë.

 

Një projekt i ngjashëm është miratuar tek stadiumi “Selman Stërmasi”, aty ku fusha e gjelbër do të zhytet mes kullave përreth. Modeli është ai i stadiumit “Air Albania”, ku kompania ndërtuese fitoi kullën dhe ambientet komerciale përreth, ndërsa federata përfitoi stadiumin.

 

Ky ishte edhe rasti që kryeministri Edi Rama përmendi muaj më parë, teksa paralajmëroi planet për transformimin e Pallatit të Kongreseve: “Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë edhe konkursin për rishpikjen mund të themi, nëse mund të përdor këtë fjalë, rikualifikimin – Frida e thotë më mirë – të Pallatit të Kongreseve, me të njëjtën formulë si me stadiumin ku do të fitojmë një Pallat Kongresesh të transformuar, të rinovuar dhe patjetër do shohim si do paraqiten dhe cili do jetë projekti më i mirë.” u shpreh rama disa muaj më parë.

 

Kjo “formulë” parashikohet të përdoret edhe për godinën e re të Bibliotekës Kombëtare, sërish përmes një partneriteti me privatët.

 

Pallati i Kongreseve, një nga godinat më emblematike të arkitekturës institucionale të Tiranës, u ndërtua mes viteve 1982-1986 për të strehuar kongreset e Partisë së Punës, por u bë gjithashtu një qendër e rëndësishme për festivalet dhe ngjarjet e mëdha kulturore të vendit. Historia e tij është e lidhur ngushtë me kujtesën kolektive të një epoke. Por siç duket, kujtesa ka vlerë vetëm deri në momentin kur trualli bëhet më i vlefshëm se historia./Lapsi.al

XS
SM
MD
LG