Rama flet për hapësira publike, por në zonën e Xhamllikut po ndërtohet pallat mbi rrugë

Në daljet e tij publike dhe rubrikat e tij në rrjete sociale, kryeministri flet për lirimin e hapësirave publike dhe luftën kundër ndërtimeve pa leje në Theth dhe çdo cep të Shqipërisë, por në mes të Tiranës, po ndodh një skandal i vërtetë që nuk pasqyron aspak aksionin për pastrimin e hapësirave publike.
Një qytetar denoncon se në zonën e Xhamllikut, konkretisht në hyrje të rrugës "Pronatyra", që të çon drejt pallateve të Tom Doshit, po ndërtohet një pallat i ri, i cili ka zaptuar pa mëshirë treçerekun e rrugës ekzistuese. Qytetari shkruan se aty dikur ka qenë rrugë dykalimshe për automjetet, por tashmë është kthyer në një shteg të ngushtë, ku lëvizja e makinave dhe kalimi i qytetarëve është bërë thuajse i pamundur.
Denoncimi:
Pershendetje. Rama flet per hapsira publike. Por kaloni nje here dhe beni nje video Tek Xhamlliku – Pronatyra, rruga qe del Tek pallatet e Tom Doshit. Ne fillim te rruges Pronatyra PO ndertohet nje pallat. Ka shkaterruar dhe uzurpuar 3 çerekun e rruges qe ishte 2 kalimshe per makinat, pra pallati PO behet mbi rruge. KY eshte skandal I hapur ne mes te kryaqytetit. Rendon trafikun, njerezit nuk Kane se ku te kalojne. Faleminderit
Ndërtimi në fjalë jo vetëm që ka uzurpuar hapësirën publike, por ka rënduar trafikun dhe ka krijuar rrezik real për sigurinë e këmbësorëve. Denoncuesi i indinjuar, kërkon reagim urgjent nga autoritetet, ndërkohë që institucionet përkatëse duket se janë në gjumë, ose kanë zgjedhur të mos shohin. Ndërkohë që të vegjlit shemben pa mëshirë, ndërtime të tilla në rrugë publike vazhdojnë të lulëzojnë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi standardin e dyfishtë në zbatimin e urdhrit të ri për lirimin e hapësirave publike./joq