Lidhje


Të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën një rekord të ri

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna jashtë vendit u rritën përsëri në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga puna arritën vlerën e 155 milionë eurove, 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në terma neto, duke zbritur të ardhurat e shtetasve të huaj nga puna në Shqipëri, të ardhurat nga puna arritën në 144 milionë euro, në rritje gjithashtu me 13% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Së në terma neto, ashtu edhe në ato bruto, të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna kanë arritur nivelin më të lartë historik për tremujorin e parë të vitit.

 

Sipas metodikës së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.

 

Në këtë kategori punonjësish, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.

 

Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, shpesh të ardhurat nga puna jashtë vendit i bashkëngjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi. Për 3-mujorin e parë, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 251 milionë eurove, në rritje me 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Të marra së bashku, remitancat dhe të ardhurat nga puna kontribuuan me 406 milionë euro në bilancin e pagesave, shifër kjo 7% më e lartë krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbulonin rreth 35% të deficitit tregtar në mallra për 3-mujorin e parë të këtij viti.

 

Deri në ngritjen e shpejtë të sektorit të turizmit, veçanërisht pas pandemisë së vitit 2020, puna ka qenë faktori dominues ku janë mbështetur eksportet e ekonomisë shqiptare. Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë vendit, një kontribut të rëndësishëm ka dhënë historikisht jep edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria).

 

Për 3-mujorin 2025, ato arritën në 199 milionë euro, 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fasoneria në vitet e fundit ka marrë një goditje të rëndë nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor dhe perspektivat e saj duken të zymta.

XS
SM
MD
LG