Sekuestrohen dy pasuri të tjera të Erion Veliajt te Kodra e Diellit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimet ndaj kryebashkiakut të ndaluar Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, duke ngritur një tjetër akuzë ndaj tyre: “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive dhe interesave private nga persona të zgjedhur apo nënpunës publikë”.
Sipas burimeve zyrtare, hetimet paraprake kanë zbuluar indicie të forta që çojnë në dyshime të arsyeshme për pasuri të padeklaruara, të lidhura me çiftin, pranë rezidencës luksoze "Kodra e Diellit", ku ata banojnë aktualisht.
Objekt i hetimit janë dy prona të vendosura pranë apartamentit të deklaruar të çiftit në këtë rezidencë. Sipas SPAK, ekzistojnë prova të mjaftueshme për të besuar se Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar në mënyrë të fshehur këto pasuri, për të cilat nuk ka pasur deklarim të saktë ligjor.
Për momentin, të dyja pronat janë vendosur në masën e sekuestros preventive, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e tyre dhe lidhjen konkrete me çiftin.
“Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë”, thuhet në deklaratën zyrtare të Prokurorisë së Posaçme./joq