Lidhje


Tenderat e QSUT dhe flakët që përpinë Urgjencën, Vetting zbulon ku përfunduan paratë e buxhetit! Në lojë del “Agi Kons” i Gentian Sulës! Vjedhja që u fsheh

Në dhjetor 2022, administrata e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza do t’i dorëzonte disa dokumente Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku evidentohej se ishin hapur me dhunën dyert e godinës spitalore.

Dëmi i konstatuar nga auditi përllogaritej 218 milionë lekë ose 218 mijë euro, pasi ishin marrë pajisje me vlerë të lartë financiare. Ish-drejtoresha e shkarkuar nga detyra, Albana Fico do ta mbante ngjarjen e fshehur dhe nuk do ta raportonte, por vetëm pas 4 muajsh do ta çonte çështjen në Policinë e Shtetit.

 

Episodi i ndodhur në QSUT nuk është vetëm një akt vandalizmi, ai është dëshmi se Qendra më e madhe dhe më e rëndësishmja në vend ka qenë nën presionin e vazhdueshëm të abuzimit me fondet publike dhe thundrën e oligarkisë shëndetësore.

Këto janë konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilat janë thelluar nga kërkimet “Vetting” duke zbuluar kontrata në shkelje të ligjit, emërimet e kupolës drejtuese në shkelje të kodit të punës dhe krijimi i Bordit të Spitalit nga Ministria e Shëndetësisë në kundërshtim me ligjin.

 

Sipas ekspertit të Shëndetit Publik, Erion Dasho, “që kur ka ardhur në pushtet Partia Socialiste ka patur një aleancë midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj që ai e quan “oligarkia shëndetësore”. “Është një situatë ku tregon papërgjegjshmëri dhe paaftësi, që tregon mungesë vizioni, mungesë në vendosjen e prioriteteve”, tha për Vetting Dr. Dasho.

 

Ndërtimi i urgjencës së re dhe nënkontraktorët

Urgjenca e re e QSUT, ku zjarri që ra i nxori “tymin aferave” për sigurinë e godinave në QSUT, jo vetëm me urgjencën, por edhe për godinat e tjera.

Zjarri i rënë në 29 shkurt 2024 e detyroi Prokurorinë e Tiranës të nis hetimet, e cila si përgjegjës nxorri dy inxhinierë, duke i akuzuar për shpërdorim detyre.

 

Sipas dosjes hetimore ka rezultuar se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së “Urgjencës së Re” në godinë ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”.

 

Zjarri në Urgjencë solli vëmendjen tek projekti, mënyra se si ishte ndërtuar dhe cilat ishin kompanitë që realizuan projektin.

Urgjenca e re dhe zgjatimet e saj në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë ndërtuar përmes një kredie të Bankës së Këshillit të Europës dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka kushtuar rreth 18 milionë euro.

 

Por për të ndërtuar godinën A2, ku gjendet Spitali Qendror dhe Urgjenca janë dashur mbi katër vite dhe reparti i urgjencës ka filluar funksionimin në vitin 2023.  Disa muaj më vonë, pas zjarrit në shkurt 2024, Urgjenca do të mbyllej sërish duke nxjerrë jashtë funksionit të gjithë setin e aparaturave.

Sipas BIRN, godina e Urgjencës u vendos në punë edhe pse QSUT nuk e kishte marrë atë plotësisht në dorëzim nga kompania ndërtuese.

 

Ndonëse ishte ende brenda periudhës së garancisë, QSUT kontraktoi një kompani të dytë private për të kryer punime pas rënies së zjarrit, me një kosto shtesë prej 27.7 milionë lekësh ose 277 mijë euro.

Spitali qendror i QSUT i njohur ka një sërë shërbimesh shëndetësore, por njihet më së shumti për urgjencën polifunksionale. Kjo urgjencë ka potencial për të pritur mesatarisht rreth 300 pacientë në ditë, 50 nga të cilët me urgjenca të sëmundjeve kardiologjike.

Më 2 maj të vitit 2018 është firmosur kontrata ndërmjet FINSO Spa dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës me vlerë totale prej 11,9 milionë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet e llogaritura (contingencies) për vlerën 567,5 mijë euro.

 

Kjo kontratë u transferua nga FINSO Spa, filialit te saj, FINSO Albania shpk “Ish INSO ALBANIA” në pronësi të “FINCANTIERI INFRASTRUTTURE SOCIALI S.p.a” kundrejt garancisë së kompanisë mëmë 4 maj 2018.

 

FINSO është një kompani, e cila më herët ka bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë për ndërtimin e godinave spitalore dhe vepron në vendin tonë përmes degës së saj “FINSO Albania”.

Projekti i Urgjencës së ri kishte të bënte me ndërtimin e një ndërtese te përbëre nga 6 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokësore për një siperfaqe totale prej 27 mijë m2.

 

Sipas fotove të postuara në faqen e kompanisë, punimet kanë filluar në dhjetor 2018 dhe në themelet e godinës është therur si kurban një qengj. Megjithatë, punimet zgjatën mbi 4 vite dhe vetëm pak muaj pasi u hap, godina u mbyll sërish për shkak të zjarrit.

Më i godituri ishte shërbimi i repartit të hemodinamikës, i cili doli jashtë funksioni. Në këtë repart përveçse ndihmës së parë, zhvillohen ndërhyrjet koronarografisë, stendat, unazat dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme, por pas rënies së zjarrit, dy aparaturat e angiografisë nuk mund të viheshin në punë.

 

Emergjenca e krijuar e shtyu QSUT-në të jepte fonde të tjera për rikthimin e shërbimit në punë. Në 12 maj 2024, QSUT do të shpallte fituesin e tenderit me vlerë 27.7 milionë lekë përmes procedurës së negocimit, pa shpallje paraprake të kontratës. Kjo procedurë është shënuar me flamur të kuq nga “Openprocurement.al” sepse kufizon konkurrencën midis kompanive dhe ka indicie për korrupsion dhe favorizim. 

Bie në sy fakti se tenderi u fitua nga kompania “Agi Kons” në pronësi të Gentjan Sulës, e cila kishte punuar në ndërtimin e spitalit si kompani e nënkontraktuar nga FINSO Albania për godinën e mjekësisë A1 dhe godinën e Spitalit Qendror dhe Urgjencës A2. Në vitin 2017, kompania italiane nisi ndërhyrjen për rikonstruksionin e godinës së mjekësisë së përgjithshme të njohur si godina A1 me nënkontraktor “Agi Kons”. Investimi kushtoi 7.3 milionë euro dhe ka shërbyer për disa vite edhe për pritjen e urgjencave.

 

Të dhënat e siguruara nga “Vetting” zbulojnë se “Agi Kons” ka siguruar të ardhura nga projekti i Spitalit Qendror dhe Urgjencës A2 si nënkontraktor pothuajse sa kontrata që ka përfituar kompania italiane me vlerë 11.9 milionë euro. Është e dyshimtë se si nënkontraktori ka kryer situacione të punimeve duke arkëtuar 1 miliardë e 351 milionë lekë ose 85% të pagesës totale të kontratës. 

Sipas dr. Ilir Alimehmeti shumica dërrmuese e problemeve që ka sistemi shëndetësor është pasojë e nënfinancimit të spitaleve publike dhe abuzim me këto pak fonde.

“Ne nuk kemi një metodë për të vendosur një vlerësim shërbimit spitalor dhe për të kuptuar se çfarë ka nevojë për t’u përshtatur, çfarë ka nevojë për t’u përmirësuar dhe çfarë ka nevojë për t’u investuar” tha për “Vetting” Dr. Alimehmeti.

 

Në të njëjtën linjë qëndron edhe eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, i cili e lidh me koston të lartë të shpenzimeve private, që për familjen shqiptare zënë 60% të shpenzimeve në shëndetësi.

Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, kompania italiane ka deklaruar se një nga risqet e realizimit te projektit është fakti se puna mund të mbetet e paplotë për shkak të mungesës së fondeve.

 

Por një faturë e paguar në fund të dhjetorit 2024 ka ngritur pikëpyetje se çështja mund të ketë patur përplasje pasi Ministria e Shëndetësisë nuk i ka plotësuar detyrimet kompanisë italiane. Sipas të dhënave nga thesari “spending.al”, shteti i ka paguar 454 mijë euro mijë kompanisë italiane për një marrëveshje me zgjidhje me mirëkuptim. 

XS
SM
MD
LG