Në prag të 11 majit/ PL braktis PD, bashkon votat me PS për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit

Me debate dhe përplasje politike është shoqëruar mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak në Durrës, ku u diskutua ndryshimi i kategorisë së një sipërfaqeje pyjore në Gjirin e Lalzit për ndërtimin e kompleksit turistik “Lura 5”.
E djathta kundërshtoi betonizimin e vijës bregdetare. Tre këshilltarë të PD-së votuan kundër, ndërsa PS dhe Partia e Lirisë bashkuan votat duke miratuar projektvendimin me 31 vota pro.
Ndërkaq një tjetër pikë që shkaktoi përplasje ishte raporti i monitorimit të buxhetit të vitit të kaluar. Opozita akuzoi për mosrealizim të shumë zërave buxhetorë, përfshirë rindërtimin dhe fondet për mbetjet urbane.
Të dyja forcat kryesore politike akuzuan njëra-tjetrën për dëmet në mjedis gjatë 35 viteve të fundit.
Mbledhja u drejtua nga kryetarja e komanduar Denisa Luarasi, pasi kryetari i këshillit Ani Dyrmishi është në garë për deputet në zgjedhjet e 11 majit./tpz