Lidhje


Noizy braktis Veliajn: S’ma mbush askush syrin përveç Edi Ramës

Ditën e djeshme, reperi i njohur shqiptar Noizy u shfaq në një rol surprizë në çeljen e fushatës së Partisë Socialiste, duke performuar himnin zyrtar të fushatës përkrah kryeministrit Edi Rama.

 

Pas daljes së bujshme në krah të shefit të qeverisë, Noizy reagoi në Instagram me një story ku sqaronte pozicionin e tij ndonëse vinte nga një familje që më parë kishte qenë demokrate, duke shtuar se ai vetë nuk kishte pasur ndonjëherë një përvojë të mirë me demokratët.

 

Sipas tij, i vetmi që ia mbushte syrin në këtë skenë politike ishte pikërisht Edi Rama.

“Shiko, po e them një herë e mirë se çfarë mendoj dhe besoj. Familja ime dikur ishte me PD-në. Mirëpo unë personalisht kam kujtime dhe eksperienca jo të këndshme nga ajo periudhë më kujton një rrëmujë, një errësirë dhe as nuk dua ta imagjinoj të jetoj asnjë ditë si ajo kohë.

 

Me të thënë të drejtën, unë as nuk i shoh programet e partive. Sepse për mua, kushdo ta fitojë, unë prapë i njëjti jam dhe i njëjti do të mbetem: ai që fle i fundit dhe zgjohet i pari, ai që fle më pak se 5 orë gjumë gati çdo ditë, ai që shkon në punë pa orar, për të arritur atje ku asnjë artist rap shqiptar s’ka arritur kurrë.

 

Unë shoh individët kush drejton cilën parti dhe kush janë ministrat e deputetët e secilës parti. Dhe a mund t’u besoj unë këtyre individëve t’u jap votën time për vitet e ardhshme? Deri tani, me të thënë të drejtën, s’ma mbush syrin askush përveç Ramës.

 

Këta dy të rinjtë që dolën në protestë përballë bashkisë, ja nisën duke u kapur me grushta mes vete, nuk u habita, të them të drejtën. E sa i përket këtyre të tjerëve, as që bëhet fjalë. Sepse unë dua ndryshim, por ndryshimi s’ka kuptim nëse s’ka përmirësim.

 

Nuk e kemi luksin të rrimë në vend, e lëre më të shkojmë mbrapa. Kështu që, deri kur dikush të ma mbushë mendjen, unë votoj publikisht PS-në”, ka shkruar reperi.

Reperi Noizy është parë shpesh të mbështesë Partinë Socialiste, por zakonisht në krah të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe jo të kryeministrit Edi Rama.

 

Megjithatë, pas arrestimit të tij të bujshëm, duket se përveç disa shokëve të skuadrës, edhe miqtë e tij VIP kanë zgjedhur distancimin, duke e ‘braktisur’  Lali Erin. 

XS
SM
MD
LG