Pediatrit e Durrësit flenë gjumë në turnin e 3-të, qytetarët detyrohen të vijnë në Tiranë

Prindërit e qytetit të Durrësit janë të shqetësuar për mungesën e shërbimit të specializuar pediatrik në spitalin e qytetit, veçanërisht gjatë turnit të tretë dhe në raste urgjente. Raportohet se në vend të pediatërve, fëmijët trajtohen nga mjekë familjarë, të cilët nuk janë të kualifikuar për situata specifike pediatrike. Kjo situatë ka detyruar disa familje të udhëtojnë drejt Tiranës për të siguruar kujdesin e nevojshëm për fëmijët e tyre.
Sipas denoncimeve të prindërve, disa pediatër e kanë kthyer spitalin publik në një “klinikë private,” duke mos respektuar turnet dhe duke munguar në vendin e punës. Ata pretendojnë se këta mjekë shpesh qëndrojnë në shtëpi gjatë turneve të natës, ndërsa mjekët e familjes mbulojnë vendin e tyre.
Prindërit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të siguruar praninë e pediatërve në çdo turn dhe për të garantuar një sistem shëndetësor që ofron shërbim cilësor. Ata theksojnë se kamerat e spitalit mund të përdoren për të verifikuar pretendimet e tyre dhe për të marrë masa disiplinore ndaj atyre që shpërdorojnë detyrën.
Mesazhi i qytetarit:
"Jam një prind nga qyteti i Durrësit. Kemi dërguar fëmijën për një vizitë mbrëmje në pediatri, dhe në vend të pediatrit, e ka vizituar mjeku i familjes, Mirjan Beu. Ndërkohë, në vendin e punës duhet të ishte mjeku pediatër dhe jo mjeku i familjes, pasi ata nuk punojnë aty. Mjekët pediatër në spitalin e Durrësit e kanë kthyer spitalin në një pronë private dhe nuk shfaqen në punë për turnin e tretë, duke lënë mjekun e familjes në vend të tyre, ndërkohë që ata vetë qëndrojnë në shtëpitë e tyre, kur duhet të ishin në vendin e punës. Ju lutem, publikojeni këtë, pasi ne si prindër jemi të zhgënjyer nga papërgjegjshmëria e pediatrëve atje. Për të verifikuar denoncimin, mund të kontrollohen kamerat e spitalit."
"Ju lutem, nëse mund të na ndihmoni, jemi në hall për fëmijët tanë. Në Spitalin e Durrësit, mjeku pediatër nuk vjen për turnin e tretë; e kanë kthyer spitalin në klinikë private dhe lënë aty mjekun e familjes, duke na detyruar të shkojmë në Tiranë gjatë natës për shërbim të specializuar. Dhe sot, për turnin e dytë, nuk ka ardhur mjeku pediatër në vendin e punës, por ka ardhur një mjeke familje. Ne kemi nevojë për specialist dhe jo për Dr. Liljanën, mjeke familje."/joq