Allajbeu kërkon 50 mijë euro dhe fshirjen e investigimeve! AGSH ngre alarmin për lirinë e medias
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dalë në mbrojtje të portalit VNA.al, pas padisë civile të biznesmenit Klodian Allajbeu, i cili kërkon 5 milionë lekë dëmshpërblim, fshirjen e artikujve investigativë dhe përgënjeshtrimin e tyre. Në reagimin e 23 nëntorit, organizata ngre dyshime serioze se procesi mbart tiparet e një padie SLAPP, që mund të përdoret për të intimiduar mediat përmes presionit financiar.
Padia lidhet me investigimet e VNA-së mbi tenderët, koncesionet dhe kontratat publike në shëndetësi, ku përfshihen kompani të lidhura me Allajbeun. AGSH e konsideron veçanërisht shqetësuese kërkesën për fshirjen e artikujve, duke theksuar se arkivat mediatike janë pjesë e kujtesës publike dhe se kontrolli i mënyrës së shpenzimit të parave të taksapaguesve është ndër funksionet themelore të gazetarisë.
Asociacioni i kërkon Gjykatës së Tiranës të respektojë standardet evropiane për mbrojtjen e lirisë së medias, duke nënvizuar se e drejta për mbrojtjen e reputacionit nuk duhet të shndërrohet në instrument presioni ekonomik ndaj gazetarëve. AGSH ka shprehur solidaritetin me redaksinë e VNA-së dhe ka njoftuar se do ta monitorojë nga afër procesin gjyqësor.
“Gazetaria investigative nuk është kërcënim për demokracinë. Kërcënim për demokracinë është përpjekja për ta heshtur atë”, përfundon deklarata e Asociacionit.