SHBA mobilizohet në krah të SPAK! Wendt: “Kriminelët fshehin milionat në kripto, provat janë edhe në Amerikë!”
Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë bashkëpunimin me SPAK-un për të goditur rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës, korrupsionin dhe pastrimin e parave përmes teknologjisë. Ambasadori amerikan Eric Wendt deklaroi se organizatat kriminale që trafikojnë kokainë drejt Europës furnizohen nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që kërcënojnë edhe sigurinë amerikane.
“Kriminelët janë bërë dixhitalë. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë”, deklaroi Wendt, duke paralajmëruar se trafikantët përdorin aplikacione të koduara, ndërsa zyrtarët e korruptuar mund të fshehin ryshfetet në portofole kriptovalutash dhe llogari jashtë vendit.
Ambasadori zbuloi se një pjesë e provave të nevojshme për hetimet shqiptare ndodhen në serverët e kompanive amerikane, përfshirë komunikimet elektronike dhe të dhënat e ruajtura në platformat cloud. Për këtë arsye, Departamenti amerikan i Drejtësisë po ofron trajnime për hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë mbi sigurimin dhe përdorimin e provave dixhitale.
Wendt paralajmëroi se këto të dhëna mund të zhduken brenda pak ditësh, duke kërkuar veprim të shpejtë dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Ai theksoi se goditja e rrjeteve kriminale në Shqipëri ndihmon drejtpërdrejt edhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara.