Klosi zbulon “ilaçin” për PS-në: Për të shmangur debatet, përjashtohen ata që mendojnë ndryshe!
Partia Socialiste paska gjetur formulën për të shmangur përçarjet: në vend që të përballet me mendimin ndryshe, përjashton zërat kritikë! Kjo është ironia që del nga shpjegimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, i cili në A2 CNN justifikoi përjashtimin e Elisa Spiropalit me nevojën për të shmangur përsëritjen e debateve të viteve 2001–2003, që, sipas tij, përçanë socialistët dhe kontribuuan në humbjen e pushtetit më 2005.
Sipas Klosit, PS-ja duhet të përqendrohet te integrimi europian dhe zgjedhjet vendore, jo te ekspozimi publik i mosmarrëveshjeve të brendshme. Madje, ai argumentoi se socialistët kanë vendosur të qeverisin Shqipërinë dhe jo t'u tregojnë qytetarëve çfarë mendojnë për njëri-tjetrin. Me sa duket, në këtë koncept të ri të demokracisë partiake, debati është i mirëpritur, për sa kohë zhvillohet me dyer të mbyllura dhe nuk prish qetësinë e drejtimit.
Paradoksi është se Klosi këmbëngul se PS-ja zhvillon debate të shumta të brendshme, ndërsa përjashtimin e një prej figurave që kritikoi publikisht modelin e pushtetit të Ramës e paraqet si masë për ruajtjen e unitetit. Kështu, nën argumentin e shmangies së një KPD-je të re, mbetet një pikëpyetje thelbësore: a po mbrohet Partia Socialiste nga përçarja, apo drejtimi i saj nga mendimi i lirë?