Lidhje


Situata skandaloze! 1 nga 2 familje shqiptare nuk përballon dot një hall të papritur prej 1000€

 

Pothuajse gjysma e familjeve shqiptare nuk përballojnë dot një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh...

Dhe kjo pa marrë borxh ose pa kërkuar ndihmë te të afërmit apo persona të tjerë.

 

Sipas raportit SecuriMeter 2026 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), 46% e të anketuarve në Shqipëri thonë se familja e tyre nuk e përballon dot një kosto të paparashikuar prej 1,000 eurosh.

35% deklarojnë se kanë mundësi ta paguajnë pa marrë hua. 19% nuk janë të sigurt nëse të ardhurat dhe kursimet do t’u mjaftonin.

 

Një shpenzim i menjëhershëm, si një problem mjekësor, riparimi i makinës ose një defekt në shtëpi, mund të kthehet shpejt në vështirësi financiare për shumë familje.

 

Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të qytetarëve që raportojnë pamundësi për të përballuar një emergjencë prej 1,000 eurosh, 10 pikë përqindjeje më lart se mesatarja rajonale prej 36%.

 

Një detaj i veçantë i studimit është se Shqipëria del njëkohësisht e para për përgjigjet pozitive (35.4%), e ndjekur nga Mali i Zi (34.4%) dhe Bosnja e Hercegovina (33.9%).

 

Ky kontrast tregon një ndarje të qartë mes familjeve me rezerva financiare dhe atyre pa mbrojtje ekonomike, të cilat rrezikojnë të marrin borxh, të shtyjnë pagesa ose të ulin shpenzimet e përditshme kur dalin kosto të papritura.

XS
SM
MD
LG