Lidhje


Izraeli në ngërç politik pas zgjedhjeve, 4 skenarët për daljen nga kriza.

 

Izraeli mund të përballet me javë, madje edhe muaj të tërë pasigurie politike, pasi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve tregojnë se nuk ka një fitues të qartë.

Asnjëri prej dy blloqeve kryesore politike, njëri i udhëhequr nga partia e djathtë Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe tjetri nga partia e qendrës Yashar, e drejtuar nga rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 mandatesh për të formuar qeverinë në parlamentin izraelit me 120 vende.

 

Por si mund të formohet qeveria e re?

Sigurisht, kjo nuk duket e lehtë. Ndarjet e thella politike dhe ideologjike e bëjnë pothuajse të pamundur krijimin e një koalicioni që në pamje të parë mund të dukej i realizueshëm.

 

Megjithatë, kjo mbetet e mundur, edhe nëse rezultati do të ishte një aleancë e brishtë, e cila mund të qëndronte në pushtet vetëm për pak më shumë se një vit. Nëse drejtuesit e partive nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje brenda 12 javëve që kanë në dispozicion, izraelitët do t'u drejtohen sërish kutive të votimit.

CNN ka listuar katër skenarët e mundshëm që mund të shmangin zgjedhjet e parakohshme.

 

Skenari 1: Një qeveri e opozitës

Në teori, rruga më e sigurt për opozitën për të larguar Netanyahun nga pushteti kalon përmes bashkëpunimit mes partive hebraike dhe arabe. Por pikërisht kjo përbën pengesën më të madhe.

 

Dy prej drejtuesve të partive të djathta në bllokun opozitar, ish-kryeministri Naftali Bennett dhe ish-ministri i Mbrojtjes Avigdor Liberman, kundërshtojnë çdo qeveri që varet nga mbështetja e dy partive arabe në parlament. Lista e Përbashkët dhe Raam, qoftë si pjesë e koalicionit, apo si mbështetëse të jashtme të një qeverie të pakicës.

 

Të dy liderët i kanë ashpërsuar qëndrimet e tyre pas sulmit të 7 tetorit 2023, të udhëhequr nga Hamasi.

Vetëm një qeveri në historinë e Izraelit ka përfshirë plotësisht një parti arabe. Raam ishte pjesë e një koalicioni me tetë parti, i cili arriti ta largonte Netanyahun nga pushteti në vitin 2021, por qeveria u rrëzua pak më shumë se një vit pas formimit.

 

XS
SM
MD
LG