Lidhje


Vrasja në Sarandë, pista te pronat: Konflikti që ndezi sagën e hakmarrjeve

 

Vrasja e Artan Myrtajt, i njohur si “Tani i Rruzhdiut”, këtë të diel në Sarandë, po hetohet edhe në pistën e një serie konfliktesh dhe hakmarrjesh që dyshohet se e kanë zanafillën te një përplasje për prona në vijën bregdetare të qytetit. 

 

Myrtaj u qëllua për vdekje në qendër të Sarandës nga dy persona që lëviznin me motor dhe mbanin skafandra. Autorët u larguan menjëherë pas atentatit, ndërsa policia nisi kërkimet dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me konfliktin e korrikut 2025, kur një përplasje për zotërimin e një sipërfaqeje toke pranë bregdetit përfundoi me plagosjen e dy personave. Sipas raportimeve të asaj kohe, palët kishin pretendime mbi të njëjtën sipërfaqe dhe një takim i organizuar për sqarimin e konfliktit degradoi deri në përdorimin e armëve.

 

Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë u regjistruan edhe episode të tjera të rënda, përfshirë atentate me eksploziv, kërcënime dhe vrasje, duke ngritur dyshimet se konflikti fillestar për pronën ishte shndërruar gradualisht në një zinxhir hakmarrjesh mes personave të përfshirë. Artan Myrtaj ishte një nga emrat e përmendur në hetimet për ngjarjen e vitit 2025.

 

Megjithatë, deri tani Policia e Shtetit nuk ka deklaruar zyrtarisht se motivi i vrasjes së Myrtajt është konflikti për pronën. Hetimet vijojnë për të përcaktuar autorët, motivin dhe nëse atentati i së dielës është pjesë e së njëjtës sagë hakmarrjesh.

XS
SM
MD
LG