Lidhje


Në lupën e SPAK-ut, por fiton 14.3 mln euro: “2 T” e vetme në tender

 

Sipas një investigimi të VNA-së, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka dhënë kompanisë “2 T” sh.p.k. një kontratë me vlerë rreth 1.3 miliardë lekë, ose 14.3 milionë euro, për mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore në Rajonin Qendror dhe Juglindor.

 

VNA evidenton se në procedurë mori pjesë vetëm kjo kompani, ndërsa oferta fituese arriti në rreth 99.95% të fondit limit, duke ngritur pikëpyetje mbi nivelin real të konkurrencës.

 

Investigimi vë në dukje se rasti merr rëndësi të veçantë për shkak të historikut të kompanisë dhe hetimeve të SPAK-ut. Sipas VNA-së, “2 T” dhe bashkëpronari Artan Sako kanë qenë në fokusin e hetuesve në kuadër të verifikimeve për kontrata publike dhe transaksione financiare. Sako është marrë në pyetje nga SPAK, ndërsa në janar 2026 BKH ka ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë.

 

VNA raporton gjithashtu se gjatë pesë viteve të fundit “2 T” ka përfituar mbi 110 milionë euro nga kontrata publike.

 

VNA e vendos tenderin e fundit në një tablo më të gjerë të hetimeve mbi ARRSH-në, duke përmendur edhe çështjen e ish-drejtorit Evis Berberi, si dhe procedura të mëdha infrastrukturore që kanë kaluar nën lupën e SPAK-ut.

 

Sipas investigimit, megjithëse drejtuesit e institucionit kanë ndryshuar, vazhdojnë të shfaqen kontrata me vlera të larta, konkurrencë minimale dhe oferta shumë pranë fondit limit.

 

Në përfundim, VNA ngre pikëpyetjen nëse problemi kufizohet te individë apo kompani të veçanta, apo nëse bëhet fjalë për një mekanizëm më të gjerë të prokurimeve publike.

 

Investigimi thekson se fakti që një kompani apo pronarët e saj janë nën hetim nuk nënkupton fajësi, por kombinimi i një kontrate prej 14.3 milionë eurosh, vetëm një ofertuesi dhe një oferte thuajse të barabartë me fondin limit kërkon, sipas VNA-së, transparencë dhe verifikim të shtuar.

XS
SM
MD
LG