Shqipëria dënon nderimet për Mlladiqin në Serbi: “Glorifikimi minon pajtimin në Ballkan”
Wednesday, 09 September 2026 12:49
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dënuar nderimet e bëra në Serbi për Ratko Mlladiqin, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Në një reagim në X, Hoxha tha se Shqipëria i bashkohet Bashkimit Evropian dhe zërave që kanë kritikuar mënyrën se si Mlladiqi u nderua pas vdekjes.
Sipas Hoxhës, glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik bien ndesh me vlerat evropiane dhe dëmtojnë pajtimin e marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor. Mlladiqi, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq më 27 gusht ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë dhe u varros në Beograd me ceremoni fetare dhe nderime.