Pagat ndezin drejtësinë: Gjykata e Tiranës dhe Apeli në bojkot
Administrata dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe Penale të Gjykatës së Tiranës kanë ndërprerë këtë të martë shërbimet, në protestë për moskalimin e pagave të muajit gusht sipas skemës së re. Bojkotit i është bashkuar edhe Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke sjellë bllokimin e seancave dhe shërbimeve. Në Gjykatën e Tiranës pritet të zhvillohen vetëm seancat që lidhen me masat e sigurisë.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re të pagave të magjistratëve. KLGJ dhe KLP përcaktuan më pas një pagë të re referuese prej 222.425 lekësh, nga 156.800 lekë më parë, por Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat me formulën e re, duke argumentuar se përcaktimi i saj i takon Kuvendit. Për pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur gjyqtarë, prokurorë dhe pjesë të administratës së sistemit të drejtësisë.
Kriza ka vënë në lëvizje drejtuesit e të gjithë sistemit: Olsian Çela ka mbledhur drejtuesit e prokurorive dhe përfaqësues të KLP-së, ndërsa në orën 15:00 kryetarët e gjykatave pritet të mblidhen në Gjykatën e Lartë. Gjykata Kushtetuese ka rikujtuar ndërkohë se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.