Lidhje


I dërguari i Trump hyn në debatin për shtetin Bektashi: “Të vendosë populli shqiptar”

 

I dërguari presidencial amerikan për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë, ku u takua me Baba Mondin dhe foli për marrëdhëniet SHBA–Shqipëri, bashkëjetesën fetare dhe projektin për krijimin e një shteti sovran bektashi. Zampolli e cilësoi Shqipërinë një aleate dhe mike të rëndësishme të SHBA-së, duke thënë se marrëdhënia mes dy vendeve është e shkëlqyer dhe mund të forcohet më tej.

 

Për projektin e shumëdebatuar të shtetit Bektashi, Zampolli shmangu një mbështetje të drejtpërdrejtë amerikane, por deklaroi se vendimi duhet t'i takojë shqiptarëve. “Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, tha ai, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë vendimin e popullit shqiptar dhe se, nëse shqiptarët e duan një projekt të tillë, atëherë sipas tij “kjo është një gjë e mirë”.

 

Vizita kishte edhe një dimension konkret bashkëpunimi me SHBA-në. Zampolli foli për partneritete amerikane në shëndetësi dhe trajtimin e kancerit, ndërsa gjatë aktivitetit në Kryegjyshatë u njoftua edhe një memorandum bashkëpunimi me kompaninë amerikane ImmunityBio për një projekt të kujdesit ndaj pacientëve me kancer. Në axhendën e tij në Tiranë janë përfshirë gjithashtu takime me ministra të qeverisë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare të PS-së dhe PD-së.

XS
SM
MD
LG