Dora e padukshme që lidh Artur Shehun me familjen e presidentit amerikan
Në shtypin ndërkombëtar janë bërë gjithnjë e më të shpeshtë artikujt që e lidhin emrin e një personazhi kontrovers, të përforur si një eksponent i botës së krimit, Artur Shehut, me investimin e Zvërnecit, të cilit i kanë dalë për zot vajza e presidentit Trump, Ivanka dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner.
Në një shkrim të disa ditëve më parë, e përditshmja konservatore amerikane Wall Street journal botoi një investigim me një titull shumë të fortë ku binte në sy një titull bombastik dhe mbi të gjitha fotot e Shehut dhe Kushnerit, përkrah njëri tjetrit, në bardh e zi, sikur të bëhej fjalë për dy eksponentë të mjedisi të errët. Por ajo që të tërhiqte më shumë vëmendjen në artikullin e WSJ, ishte një e dhënë tjetër.
Dihet që SPAK e shpalli përndjekjen ndaj grupit të dyshuar të narkotrafikantëve të Amerikës Latine që pastronin paratë në ndërtim, në vendin tonë, menjëherë sapo kishin filluar protestat e flamingove kundër investimit të Zvërnec. Pyetja e parë që u bë atëhere ishte: a kishte lidhje mes këtyre dy fakteve? A po vepronte SPAK nën presion? A po luante kush fijet nën rrogoz?
Shkrimi i WSJ, në një paragraf të tij jep një përgjigje. "Situata ndryshoi në muajin qershor. Hetuesit evropianë të antidrogës në Spanjë, Belgjikë dhe disa vende të tjera i dorëzuan një sasi të madhe materialesh Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar", citohet aty duke u kjudesur të theksohet se Artur Shehu ndiqej në aktivitetin e tij që së paku në vitin 2019. Atëhere, pse dosja u dorëzua pikërisht në momentin që ishin mbarsur protestat për Zvërnecin? Mos vallë për të krijuar efektin që në fakt ndodhi: prodhimin e titujve për lidhjen e familjes Trump me një narko trafikant?
Vetë Edi Rama, që i ka fryrë hipotezat për një konspiracion është munduar ta shpjegojë disa herë, mbulimin mediatik të protestave në Tiranë me sponsorizimin që kësaj zhurme i bëhet nga kundërshtarët e Donald Trumpit. Të tjerë hedhin pandehma se janë shërbimet sekrete amerikane që e kanë nxitur këtë denoncim, nga meraku që të ruanin familjen presidenciale ndandonjë skandal, nëse investimi në Zvërnec do bëhej fakt i kryer. Sipas tyre Ramës nuk do ti falet kurrë fakti që e futi Ivankën dhe Jaredin në këto andrrala të njollosjes me kriminelë.
Por, përpos këtyre pandehmave një gjë është fakt. Gjithnjë e më shumë media ndërkombëtare po e asociojnë investimin ku kryeministri ynë e involvoi Kushnerin me aspektin kriminall të pronarëve që kanë rëmbyer tokat e Zvërnecit dhe më 120 milionë dollarët e paguara për ta dhe të bllokuara nga SPAK. Fill pas artikullit të WSJ-së, gazeta berlineze Junge Welt, ngrinte një pyetje të habitshme: A do të pranonte SHBA ekstardimin në Tiranë të Artur Shehut, ashtu sikurse bëri Greqia me personazhin ndërtues që figuron në të njëjtën dosje Ilir Shtufin? Edhe këtu vendin kryesor e zinte historia kontroverse e Shehut dhe dyshimet e tij për lidhje me botën e krimit.
Në mënyrë kurioze i njëjti refren u përsërit të mërkurën në faqen web të njërit prej televizioneve më të mëdhej izraelitë. Me titullin "Një vend pushimi ëndrrash në zemër të një skandali pastrimi parash: Marrëveshja masive në Shqipëri e Jared Kushner po bëhet e ndërlikuar", aty theksohej kjo lidhje problematike. "Projekti faraonik i pasurive të patundshme i Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri ka hasur në një pengesë të re: grupi i zhvilluesve pagoi më shumë se 120 milionë dollarë për një parcelë toke bregdetare, dhe rezulton se shitësi është një bos ndërkombëtar droge i dyshuar se ka mashtruar banorët vendas. Ndërsa dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugë, autoritetet ngrinë fondet, të dyshuara për pastrim parash" shkruante gazetari, Daniel Arazi.
I njëjti lajtmotiv përsëritej edhe në artikullin e revistës prestigjoze Gjermane "Der Spiegel".
"Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, planifikon të ndërtojë një resort/vendpushim luksoz me vlerë shumë miliarda dollarë në bregdetin shqiptar. Ndërkohë, prokuroria publike po heton projektin, ndër të tjera për çështje që lidhen me pastrimin e parave dhe trafikun e kokainës. Në Shqipëri ka edhe protesta kundër projektit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të mëdha" thuhej në artikullin e shkruar nga Jörg Schindler publikuar më 13 gusht 2026 në revistën gjermane.
Shkrimin e parë në këtë linjë e pati botuar agjensia Reuters e cila, qe një nga mediat më të mëdha që vendosi ti transmetonte live protestat. "Një biznesmen me bazë në Miami, i kërkuar në Shqipëri për dyshimin e pastrimit të parave të drogës, dyshohet se ka falsifikuar aktet e pronësisë së tokës ku Jared Kushner dëshiron të ndërtojë një vendpushim multi-miliardë dollarësh" njoftoi Reuters duke shtuar se "Në prill, Shehu ia shiti rripin e bregdetit të paprekur shqiptar për resortin e planifikuar Albania Land Development, një kompani që është në pronësi të zhvilluesve të projektit të mbështetur nga Kushner, Sazan Real Estate Development dhe investitorëve të tjerë".
Në atrikullin e datës 11 korrik nënvizohej gjithashtu: "Kryeministri Edi Rama i tha Reuters muajin e kaluar se ishte një projekt “i bukur” dhe do të vazhdonte pavarësisht kësaj. I pyetur në lidhje me akuzat në dosjet e çështjes kundër Shehut, një zëdhënës i qeverisë tha se qeveria nuk do të ndërhynte në transaksionet private, por se projekti po vazhdonte në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të BE-së. Brukselit i ka bërë më parë thirrje Shqipërisë, si kandidate për anëtarësim në BE, që t’i përmbahet rregullave mjedisore të BE-së në lidhje me projektin. Një zëdhënës i Komisionit ekzekutiv të BE-së nuk dha komente shtesë për këtë histori".
Pak a shumë në të njëjtën kohë edhe amerikanja “Miami New Times” i kishte kushtuar vëmendjen kësaj ngjarjeje:"Një rezidencë buzë detit në “Flamingo Drive”, një zonë ekskluzive e Miami Beach duket një vend i pamundur për t'u bërë selia e një prej betejave më të diskutueshme të pasurive të patundshme në Ballkan. Por sipas një investigimi gjithëpërfshirës nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), pikërisht aty investitori shqiptar Artur Shehu drejtoi një përpjekje njëvjeçare për të blerë tokë në bregdet në vendin e tij të lindjes – pronë që tani përbën themelin e resortit luksoz të propozuar prej 1.4 miliardë dollarësh të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri" shkruante ajo.
Pra nuk ka dyshime se lidhja që Edi Rama i bëri familjes Trump me kontroversin Artur Shehu tani është bërë një temë e preferuar e mediave ndërkombëtare. I vetmi aspekt që mbetet të kuptohet është nëse pas këmbënguljes tek ky refren fshihet ndonjë dorë e padukshme, që do i jepte hov teorive konspirative, apo vërtet skandali është aq i madh sa ka tërhequr në mënyrë "të pafajshme" interesin e kaq shumë mediave./LAPSI.AL