A po përgatitet Yeffet për Aeroportin e Vlorës? Kompania e re ngre pikëpyetje
Zhvillimet e fundit rreth Aeroportit të Vlorës kanë hapur një seri pikëpyetjesh mbi atë që mund të ndodhë nëse qeveria i jep fund përfundimisht kontratës me MABCO-n dhe koncesionari aktual largohet nga projekti.
Më 29 maj, ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi i dha koncesionarit një afat 30-ditor për zgjidhjen e problemeve të projektit, duke paralajmëruar përdorimin e mekanizmave kontraktualë deri te zgjidhja e marrëveshjes. Vetëm 13 ditë më vonë, më 11 qershor, u themelua TIMAK AVIATION, ndërsa regjistrimi i saj në QKB u krye më 18 qershor.
A është kjo vetëm një përkim kohor, apo krijimi i kompanisë lidhet me zhvillimet që kishin nisur tashmë rreth Aeroportit të Vlorës?
Pikëpyetjet shtohen nga objekti i aktivitetit të TIMAK AVIATION. Kompania është regjistruar për transport ajror, fluturime charter, shërbime “ground handling”, asistencë aeroportuale, menaxhim terminalesh, si dhe projektim, administrim, mirëmbajtje dhe shfrytëzim aeroportesh dhe infrastrukture aviacioni.
Pse një kompani me një profil kaq të gjerë aeroportual krijohet pikërisht në momentin kur e ardhmja e koncesionit të Vlorës po vihej seriozisht në diskutim? A bëhet fjalë thjesht për një investim të ri privat në aviacion, apo përgatitet një rol më i madh për të në tregun shqiptar?
Struktura e pronësisë shton një tjetër element. TIMAK AVIATION zotërohet në masën 50% nga Ron Yeffet dhe 50% nga Arjeta Puca, e cila është edhe administratore. Yeffet është një biznesmen izraelit që ka qenë i përfshirë në projekte të tjera në Shqipëri dhe emri i tij është shfaqur më herët në raportime lidhur me interesa investimi në sektorë strategjikë.
A mund të jetë Aeroporti i Vlorës një prej këtyre interesave? A ka pasur kontakte paraprake për një skenar të mundshëm pas MABCO-s? Apo afërsia në kohë mes ultimatumit të qeverisë dhe themelimit të TIMAK AVIATION është thjesht rastësi?
Ndërkohë, qeveria ka avancuar me procedurat për zgjidhjen e kontratës me MABCO-n, ndërsa Behgjet Pacolli ka paralajmëruar arbitrazh ndërkombëtar dhe pretendime financiare të konsiderueshme ndaj shtetit shqiptar.
Nëse kontrata prishet, lind një pyetje edhe më e madhe: kush do ta operojë Aeroportin e Vlorës më pas?
Deri tani qeveria nuk ka bërë publik një model të ri administrimi, një procedurë konkurruese apo një operator të mundshëm pas largimit të MABCO-s. Po ashtu, nuk ekziston asnjë dokument publik që lidh TIMAK AVIATION, Ron Yeffet apo Arjeta Pucën me marrjen e Aeroportit të Vlorës.
Por pikërisht mungesa e një përgjigjeje zyrtare, e kombinuar me kronologjinë e krijimit të kompanisë dhe objektin e saj specifik në sektorin aeroportual, e mban të hapur pyetjen:
A po përgatitet një operator i ri për Aeroportin e Vlorës dhe, nëse po, a është TIMAK AVIATION pjesë e këtij skenari?