Kamarieri 1000 euro, punëtori i makinave ushtarake 800, kontrasti që ‘shkërmoq’ propagandën e pagave të Ramës
Dokumentet e publikuara së fundmi në media kanë nxjerrë pah faktin se punonjësit e kompanisë KAYO, e krijuar si pjesë e ambicies së qeverisë për zhvillimin e industrisë ushtarake, paguhen rreth 800 euro në muaj.
Një shifër që në pamje të parë mund të konsiderohet si pagë mesatare në tregun shqiptar të punës, por që merr një tjetër kuptim kur krahasohet me mënyrën se si vetë kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të prezantojë realitetin e pagave në vend.
Vetëm pak kohë më parë, Rama publikoi në rrjetet sociale një video nga plazhi i Radhimës në Vlorë, ku pyeste një kamarier për pagën mujore.
Përgjigjja ishte 1000 euro, plus bakshishet që, sipas kryeministrit, punonjësit i mbajnë vetë.
“E pyeta sa e ke pagën, më tha 1000 euro. Ou? Bakshishet i mbajnë vetë”, shprehej Rama, duke e përdorur rastin si shembull të rritjes së pagave në sektorin e turizmit.
Por pikërisht këtu lind kontrasti që vë në pikëpyetje narrativën e qeverisë për ekonominë shqiptare.
Një punonjës në një lokal sezonal buzë detit rezulton, sipas shembullit të sjellë nga vetë kryeministri, të ketë një pagë më të lartë sesa një punonjës në një kompani që qeveria e ka paraqitur si simbol të rikthimit të prodhimit industrial dhe të një sektori strategjik për vendin.
Në pamje të parë, rritja e pagave në turizëm është një zhvillim pozitiv, por kontrasti i qeverise ngre një pyetje për modelin ekonomik që po ndërtohet dhe që ai vetë na e prezanton çdo ditë.
Për vite me radhë, qeveria ka deklaruar se Shqipëria po kalon nga një ekonomi e bazuar te shërbimet drejt një ekonomie që prodhon vetë dhe KAYO është paraqitur si një nga shembujt e kësaj qasjeje të re.
Por në realitetin e pagave, diferenca mes një kamarieri në Jug të vendit dhe një punëtori në një fabrikë makinash ushtarake tregon një tjetër realitet dhe kontrast.
Kjo për faksin se kontrasti i pagës 1000 euro për kamarierin dhe 800 euro për punëtorin e makinave ushtarake ngre pikëpyetje më shumë për modelin ekonomik të Shqipërisë sesa thjesht një krahasim pagash./ BoldNews.al