KRISJE NË PS/ Selenica shpall “non grata” Ardit Bidon, socialistët kundër hartës së Ramës
Selenica ka reaguar ashpër ndaj propozimit të Partisë Socialiste për bashkimin e bashkisë me Vlorën, ndërsa deputeti socialist Ardit Bido është shpallur simbolikisht “non grata” pas deklaratës së tij se banorët e zonës kërkojnë këtë ndryshim territorial. Sipas televizionit lokal 6+1 Vlora, reagimet kanë ardhur pasi Bido deklaroi se banorët e Selenicës, Kudhës-Gërhotit dhe Lumit të Vlorës mbështesin bashkimin me Bashkinë e Vlorës.
Por kundërshtimi duket se ka përfshirë edhe vetë socialistët lokalë. Sipas të njëjtit burim, grupi i PS-së në Këshillin Bashkiak të Selenicës është pozicionuar kundër propozimit dhe i ka dërguar një mesazh kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, duke kërkuar anulimin e nismës.
Kundërshtarët e reformës argumentojnë se shkrirja e Selenicës do t’i largonte më tej shërbimet nga banorët, për shkak të territorit të gjerë dhe relievit të vështirë të zonës.
Sipas 6+1 Vlora, në ditët në vijim priten reagime të tjera nga banorët dhe shoqëria civile, ndërsa edhe Këshilli Bashkiak i Selenicës pritet të mbajë një qëndrim zyrtar.
Zhvillimi vendos në pikëpyetje deklaratën e Bidos se bashkimi me Vlorën bëhet “me kërkesën e banorëve”, ndërsa kundërshtimi i socialistëve lokalë sinjalizon se përplasja për hartën e re territoriale ka hyrë tashmë edhe brenda vetë PS-së.