Lidhje


“Atë që nuk e bënë dot mbretërit serbë, po e bëjnë Feriti dhe Edi”, Marlind Laçi kundër konsullatës serbe në Shkodër

 

Marlind Laçi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë shqiptare për lejimin e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke e cilësuar këtë hap jo thjesht si një procedurë diplomatike, por si një zhvillim me pasoja politike dhe historike. Në një postim në Facebook, Laçi shkruan se Shkodra përfaqëson një nga simbolet kryesore të rezistencës shqiptare ndaj synimeve serbo-malazeze, duke iu referuar rrethimit të qytetit gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

 

Sipas tij, vendimi për hapjen e konsullatës serbe në një qytet ku numri i banorëve të deklaruar me etni serbe është shumë i kufizuar ngre pikëpyetje mbi qëllimin real të kësaj përfaqësie diplomatike.

 

“Atë që s’e bëri dot Krajl Nikolla dhe Krajl Petari, po e bën Feriti dhe Edi”, shkruan Laçi, duke iu referuar ministrit të Jashtëm Igli Hasani dhe kryeministrit Edi Rama.

 

Ai argumenton se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë karakterizuar historikisht nga konflikte, tensione, dhunë dhe përpjekje për ndikim politik mbi shqiptarët, që nga periudha e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe Jugosllavisë, deri te Serbia e sotme.

 

Laçi përmend gjithashtu qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës, duke theksuar se Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj dhe ta trajtojë atë si pjesë të territorit serb.

 

Në reagim ngrihen edhe pretendime historike për veprimtarinë e konsullatës serbe në Shkodër gjatë periudhës osmane. Sipas Laçit, ajo është përpjekur të ushtrojë ndikim në zhvillimet politike të veriut të Shqipërisë.

 

Ai i referohet gjithashtu periudhës së qeverisjes së Ahmet Zogut, kryengritjes së Dom Loro Cakës dhe mbështetjes së pretenduar serbe për projektin e Republikës së Mirditës të Gjon Marka Gjonit, të cilin e përshkruan si pjesë të përpjekjeve për dobësimin dhe shpërbërjen e shtetit shqiptar.

 

Për këtë arsye, Laçi pretendon se hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk mund të shihet vetëm si një akt administrativ apo konsullor, por si vazhdimësi e përpjekjeve të diplomacisë serbe për të shtrirë ndikimin e saj politik në Shqipëri dhe në rajon.

 

Ai kërkon që vendimi të shoqërohet me transparencë të plotë dhe debat publik, duke theksuar se përfaqësitë diplomatike nuk kanë vetëm rol burokratik, por mund të shërbejnë edhe si instrumente ndikimi politik.

 

Në përfundim, Laçi akuzon qeverinë se po sillet në mënyrë të nënshtruar ndaj interesave të Beogradit.

 

“Atë që s’e bëri dot Krajl Nikolla, Petar Karagjorgjeviçi dhe Aleksandër Karagjorgjeviçi, po e bëjnë Feriti dhe Edi”, përfundon ai.a

XS
SM
MD
LG