Pazar me Beogradin pas shpinës së shqiptarëve? Konsullata serbe në Shkodër nxjerr zbuluar qeverinë
Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, se Beogradi dhe Tirana kanë arritur një dakordësi në parim për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe të një konsullate shqiptare në Bujanoc ka hapur një debat të fortë politik në Shqipëri. Gjuriç tha se marrëveshja u arrit gjatë bisedimeve me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, duke e paraqitur atë si një hap drejt forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Megjithatë, deri tani nuk është bërë publik asnjë dokument zyrtar, nuk janë përcaktuar afate apo procedura konkrete dhe nuk ka një vendim përfundimtar për hapjen e përfaqësive.
Nisma për hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanoc nuk është e re. Shqipëria e ka kërkuar prej vitesh një përfaqësi në zonën ku jeton komuniteti më i madh shqiptar në Serbi, ndërsa ministri Ferit Hoxha e ngriti sërish këtë çështje gjatë takimit me Gjuriçin në Forumin Diplomatik të Antalias në prill të këtij viti. Në atë kohë, pala shqiptare foli vetëm për Bujanocin, ndërsa çështja e një konsullate serbe në Shkodër nuk u bë publike.
Ndërkohë, reagimet në Shqipëri kanë qenë të forta. Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e cilësoi një konsullatë serbe në Shkodër si një vendim të gabuar strategjikisht dhe taktikisht, duke argumentuar se nuk pasqyron realitetin historik dhe demografik të zonës, ndërsa vjen në një moment kur retorika e zyrtarëve serbë ndaj Kosovës është përshkallëzuar. Edhe deputetja Marjana Koçeku kërkoi shpjegime se përse është zgjedhur pikërisht Shkodra dhe çfarë interesi ka Shqipëria nga kjo marrëveshje, ndërsa Albana Vokshi deklaroi se, nëse lajmi konfirmohet, ministri Ferit Hoxha duhet të japë dorëheqjen.
Nga ana tjetër, Tirana nuk ka publikuar ende një sqarim të plotë mbi deklaratën e ministrit serb. Në media është raportuar se Hoxha e konsideron procesin ende në fazë diskutimesh dhe jo si një vendim të përfunduar, por deri tani mungon një komunikatë zyrtare që të konfirmojë ose të përgënjeshtrojë në mënyrë të qartë pretendimin e Beogradit.
Për momentin, e vetmja gjë e konfirmuar është se ekziston një diskutim diplomatik për hapjen e përfaqësive reciproke në Shkodër dhe Bujanoc. Megjithatë, mbeten të paqarta statusi i përfaqësisë serbe, juridiksioni i saj, arsyet e përzgjedhjes së Shkodrës dhe nëse kjo është pjesë e një marrëveshjeje reciprociteti për konsullatën shqiptare në Bujanoc. Deri në një sqarim zyrtar nga pala shqiptare, çështja mbetet një dakordësi e pretenduar nga Beogradi, e cila ka hapur një debat të gjerë politik dhe diplomatik në Shqipëri.