PD çon në Kushtetuese huanë 302 milionë euro me SHBA: “Marrëveshja u miratua me shtatë shkelje”
Partia Demokratike ka zyrtarizuar ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së për blerjen e pajisjeve ushtarake. Në një konferencë për mediat të mbajtur këtë të mërkurë, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se procedura e ndjekur nga mazhoranca ka shkelur Kushtetutën në shtatë pika, duke cenuar afatet ligjore dhe të drejtën e deputetëve për t’u njohur me aktin përpara votimit.
Bardhi sqaroi se PD-ja e mbështet në parim marrëveshjen me SHBA-në pasi i shërben modernizimit të Forcave të Armatura dhe detyrimeve ndaj NATO-s, por theksoi se asnjë partneritet strategjik nuk mund të përdoret si arsyetim për të shkelur ligjin bazë të shtetit.
Sipas tij, opozita paralajmëroi mazhorancën në seancë dhe kërkoi mirëkuptim edhe nga Kryetari i Kuvendit, por në fund mbizotëroi urdhri politik i kryeministrit Edi Rama, i cili e ktheu sërish Kuvendin në një noter të vendimeve të qeverisë.
“Gjatë seancës plenare të ditës së hënë, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, paralajmërova zyrtarisht se procedura e ndjekur nga shumica për miratimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Paralajmërova gjithashtu se, nëse mazhoranca do të këmbëngulte në këtë rrugë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’ia nënshtronte atë kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
Ky paralajmërim nuk ishte për të bërë politikë. Ishte një paralajmërim real dhe i sinqertë. Ai ishte përpjekja e fundit për të ndaluar shumicën parlamentare që të mos përfshinte edhe marrëdhënien më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në një procedurë antikushtetuese.
Opozita kërkoi gjatë gjithë seancës respektimin e afateve kushtetuese, të drejtës së deputetëve për t’u njohur me aktin që votonin dhe të standardeve që vetë Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar vetëm pak muaj më parë në vendimin e saj për procedurat parlamentare dhe Rregulloren e Kuvendit. Paralajmëruam se një procedurë e tillë nuk e zgjidhte urgjencën që pretendonte qeveria, por vetëm sa do ta zgjaste atë, sepse do ta bënte të pashmangshëm kontrollin kushtetues të saj”, u shpreh Bardhi.
Shtatë shkeljet që rendit Partia Demokratike:
Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t’u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t’u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.
Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.
Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, maxhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve.Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.
Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën sesi u miratua marrëveshja me SHBA të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi në muajin shkurt se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke u mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.
Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t’u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.
Shkelja e gjashtë: 1/5 e Deputetët kanë të drejtë që të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetutese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjell dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatës Kushtetuese nëse cmonte vetëm përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.
Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.