EKSKLUZIVE/ Qeverisja socialiste pezullon punimet për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Vlorë dhe shoqëron punonjësit
Restaurimi i shumëpritur i Xhamisë së Plumbit në Vlorë, i nisur këtë vit, duket se nuk i ka shpërtuar skandaleve. Sipas burimeve për Mexhlis, rreth tre javë më parë, kryetarja e bashkisë së Vlorës Bruna Mersini ka urdhëruar ndalimin dhe shoqërimin nga policia të inxhinierit të projektit, shtetas turk i kontraktuar nga TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, si dhe disa punëtorëve të tjerë. Më pas, po sipas burimeve, shtetasi turk dhe punëtorët e ndaluar me urdhër të Mersinit, janë liruar brenda të njëjtës ditë.
Arsyeja e mësuar për ndalimin e tyre lidhet me vendosjen e rrethimit ndaj objektit të xhamisë për kryerjen e restaurimit. Kjo ngjarje solli gjithashtu ndalimin e punimeve restauruese rreth dy javë. Tashmë ato kanë rinisur prej gati një jave, ndërsa rrethimi që pretendohet se u bë shkak i ndalimit të tyre, vijon të qëndrojë po aty, i palëvizur. I gjithë ky veprim, me urdhër dhe prapavijë politike, do të duhej të kishte shkaktuar skandal diplomatik mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Restaurimi i Xhamisë së Plumbit në Vlorë u bë prioritet pasi monumenti 500-vjeçar pësoi dëmtime serioze nga përmbytjet e tetorit 2024. Projekti i restaurimit u hartua dhe u miratua nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me specialistët e TİKA-s, institucioni shtetëror turk që financon dhe zbaton projekte zhvillimi, restaurimi dhe trashëgimie kulturore jashtë Turqisë.
Financimi u parashikua të mbështetet pikërisht nga pala turke dhe fondet shtetërore shqiptare. Ndërhyrja synon rikthimin e objektit në gjendjen e tij origjinale, duke ruajtur vlerat historike dhe arkitekturore të monumentit, i cili konsiderohet një nga simbolet më të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare të periudhës osmane në Vlorë. Muajt e fundit është raportuar nisja e punimeve në terren, ndërsa autoritetet kanë theksuar se restaurimi do të kryhet sipas standardeve të konservimit të monumenteve të kulturës.
Ndalimi dhe shoqërimi i shtetasit turk, inxhinier në projektin e restaurimit të xhamisë, do të duhej të ishte bërë transparent nga organet ligjzbatuese shqiptare, në kushtet e shkeljeve të mundshme. Në të kundërt, ajo që ndodhi me urdhër të kryetares së Bashkisë Vlorë, duket se ka një prapavijë të qartë politike. Kjo ngjarje e rëndë e ndalimit të inxhinierit turk dhe punimeve, i shtohet serisë së qëndrimeve të partisë në pushtet për të diktuar drejtimin dhe vendimet mbi objektet e kultit islam veçanërisht dhe komunitetit shumicë të besimtarëve myslimanë dhe hoxhallarëve në tërësi.