Lidhje


“BESA” e pabesisë: Rama kërkon 90 ditë kohë për projektin që betohej se nuk do ta ndalte

 

Brenda vetëm dy muajve, Edi Rama ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimin për projektin Sazan–Zvërnec, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e dokumentit të tij strategjik “BESA”. Në kulmin e përplasjeve me protestuesit, Rama e kishte lidhur hapur fatin e projektit me qëndrimin e tij në krye të qeverisë. Ai deklaronte se Shqipëria nuk mund t’i thoshte jo një investimi privat prej 4 miliardë eurosh dhe këmbëngulte se vendi “nuk tërhiqet nga ëndrrat e mëdha”.

 

Por në dokumentin “BESA”, qeveria paraqitet tashmë në një fazë “reflektimi, dëgjimi dhe empatie”, duke lënë të hapura të gjitha mundësitë për të ardhmen e projektit: vazhdimin, korrigjimin, kushtëzimin, rikonceptimin ose ndalimin e tij.

 

Vjosë-Narta është zgjedhur si testi i parë i platformës së re. Brenda 90 ditësh parashikohen dëgjesa me banorët, ekspertët dhe grupet protestuese, publikimi i dokumentacionit të lejueshëm, një vlerësim paraprak dhe më pas një vendim i arsyetuar.

 

Dokumenti premton gjithashtu se gjatë kësaj periudhe nuk do të ndërmerret asnjë hap i pakthyeshëm dhe se do të realizohet një vlerësim i pavarur mjedisor.

 

Megjithatë, formulimet si “për aq sa e lejon ligji” apo “për aq sa lejojnë kontratat” lënë hapësirë të gjerë për interpretim dhe për një transparencë të kontrolluar nga vetë qeveria.

 

Pikërisht këtu qëndron kontradikta kryesore: Rama që pak javë më parë deklaronte se projekti nuk do të anulohej sa kohë ai ishte kryeministër, sot e paraqet atë si një çështje të hapur për konsultim dhe rivlerësim.

 

Kjo ka ngritur dyshimin se “BESA” nuk është një kthesë reale politike, por një mekanizëm për të ulur presionin e protestave, për të zvarritur vendimmarrjen dhe për të fituar kohë.

 

Nëse investitorët tërhiqen për shkak të kostos politike dhe skandaleve që kanë shoqëruar projektin, Rama mund ta paraqesë më pas anulimin si sukses të “BESËS”. Deri atëherë, mbetet pyetja: kemi të bëjmë me reflektim të vërtetë apo me një pabesi të re të paketuar si transparencë?

XS
SM
MD
LG