Situata para Kuvendit të Shqipërisë u tensionua pasi Policia e Shtetit ndërhyri me forcë ndaj protestuesve të mbledhur pak para nisjes së seancës së fundit plenare të kësaj legjislature.
Megjithëse protesta nisi me thirrje kundër qeverisë dhe deputetëve, ndërhyrja e policisë me autobotë uji dhe spraj me piper çoi në përshkallëzimin e situatës, duke e kthyer zonën përreth Parlamentit në një skenë përplasjesh.
Forcat e policisë përdorën ujë me presion dhe mjete irrituese për të shpërndarë turmën, ndërsa nga përplasjet mbetën të lënduar si protestues, ashtu edhe efektivë policie. Një protestues u godit në kokë dhe u transportua me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Qytetarët e mbledhur para Kuvendit kundërshtuan kordonin e fortë policor dhe gardhet metalike që kishin izoluar institucionin, duke e cilësuar atë një përpjekje për të penguar zërin e protestës. Në protestë u dëgjuan thirrje si: "Deputetë frikacakë", "Ju erdhi fundi", "Parlament i krimit", "Poshtë qeveria" dhe "Nuk na përfaqësoni".
Prania e një numri të madh forcash policore, përfshirë repartet "Shqiponja", autobotët me ujë dhe një perimetër i zgjeruar sigurie nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme, u pa nga shumë të pranishëm si një demonstrim force ndaj qytetarëve që kishin dalë për të protestuar.
Masat e marra nga Policia e Shtetit kufizuan lëvizjen e qytetarëve, automjeteve dhe madje edhe të përfaqësuesve të mediave, duke ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes dhe respektimin e të drejtës kushtetuese për tubim paqësor.