Kuvendi “blindohet” nga protesta/ Ujëhedhëse, gardhe dhe vezë me emrat e deputetëve, policia shtyn qytetarët
Tensione dhe masa të forta sigurie kanë shoqëruar paraditen e sotme zonën përreth Kuvendit të Shqipërisë, ku qytetarët që protestojnë prej 51 ditësh kundër qeverisë janë grumbulluar paralelisht me zhvillimin e seancës plenare. Që në orët e mëngjesit, Policia vendosi barriera metalike përpara Parlamentit dhe dislokoi një automjet ujëhedhës, ndërsa prania e efektivëve u shtua në hyrjet e godinës. Masat u morën për të kontrolluar lëvizjen e protestuesve dhe për të shmangur incidente gjatë mbërritjes së deputetëve dhe ministrave.
Qytetarët u mblodhën fillimisht në pjesën e pasme të Kuvendit, duke brohoritur “Rama jep dorëheqjen” dhe “Parlament i krimit”. Disa prej tyre kishin marrë me vete vezë, mbi të cilat kishin shkruar emrat e deputetëve, si një formë simbolike proteste ndaj ligjvënësve dhe institucionit që, sipas tyre, nuk përfaqëson interesat e qytetarëve.
Ndonëse organizatorët kishin deklaruar se tubimi do të ishte paqësor, prania e vezëve dhe përpjekjet e protestuesve për t’u afruar te hyrjet e Kuvendit rritën tensionin. Policia krijoi një kordon sigurie dhe ndërhyri për të zhvendosur qytetarët nga oborri i jashtëm i Parlamentit. Pavarësisht temperaturave të larta, protestuesit nuk u tërhoqën dhe vijuan qëndrimin pranë godinës.
Tubimi u zhvillua ndërsa në sallën e Kuvendit ishte parashikuar shqyrtimi i raporteve vjetore të institucioneve të pavarura dhe organeve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Seanca e 20 korrikut është raportuar si e parafundit për këtë sesion parlamentar.
Pas tubimit para Parlamentit, qytetarët pritet të rikthehen pasdite për protestën e përditshme përpara Kryeministrisë. Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu një mobilizim më të madh më 23 korrik, kur pritet të zhvillohet seanca e fundit plenare përpara pushimeve verore.
Protestuesit deklarojnë se aksioni i tyre do të vazhdojë dhe do të përshkallëzohet, ndërsa kërkesat kryesore mbeten largimi i qeverisë dhe ndryshimi i mënyrës se si funksionon përfaqësimi politik në vend.a