SONDAZHI I REVOLTËS/ 91% e të anketuarve mbështesin protestat, “kapja e shtetit” dhe korrupsioni ndezin zemërimin
Një anketë e zhvilluar nga “Monitor” me 1.114 qytetarë tregon mbështetje të fortë për protestat që nisën pas incidentit në Zvërnec, por që më pas u shndërruan në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes. Rreth 90,7% e pjesëmarrësve deklaruan mbështetje të plotë dhe 6,1% mbështetje të pjesshme, ndërsa vetëm 2,8% u shprehën kundër.
Megjithëse Zvërneci shërbeu si shkëndijë, të anketuarit renditën si shqetësime kryesore korrupsionin, keqqeverisjen, mungesën e llogaridhënies dhe mosndëshkimin. “Kapja e shtetit dhe mosfunksionimi i një shteti demokratik” mori 606 përgjigje, ndërsa korrupsioni i evidentuar nga hetimet e SPAK-ut dhe BKH-së u zgjodh nga 568 persona. Shkatërrimi i mjedisit dhe betonizimi i bregdetit u renditën në vendin e tretë.
Vetëm 37 pjesëmarrës e lidhën drejtpërdrejt protestën me përfshirjen e familjes Trump–Kushner në projektin e Zvërnecit, duke treguar se pakënaqësia shkon përtej një projekti të vetëm. Anketa evidenton sidomos revoltën e shtresës së mesme, profesionistëve dhe qytetarëve të arsimuar në moshë pune.
Rreth 79% thanë se kishin marrë pjesë të paktën një ditë në protestë, ndërsa 95,9% kërkuan vazhdimin e saj. Megjithatë, vetëm 58,8% vlerësuan se protestat kishin prodhuar rezultate konkrete. Kërkesat kryesore përfshijnë dorëheqje politike, hetime për korrupsion, zgjedhje të parakohshme, reformë në drejtësi, shfuqizimin e ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe hapjen reale të listave zgjedhore.
Rezultatet duhet të lexohen me rezervë, pasi anketa ishte vullnetare dhe kampioni nuk është përfaqësues i të gjithë popullsisë. Ajo pasqyron kryesisht perceptimet e një audience urbane, të arsimuar dhe të angazhuar me zhvillimet politike dhe ekonomike.