Premtimi për dy avionët zjarrfikës shtyhet sërish: Shqipëria pritet t’i ketë operacionalë në vitin 2027
Shqipëria vazhdon të mos ketë avionë të saj për ndërhyrjen nga ajri kundër zjarreve, ndërsa afati për vënien e tyre në përdorim është shtyrë drejt vitit 2027. Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë ende informacion konkret mbi statusin e kontratës për blerjen e dy mjeteve ajrore të premtuara prej disa vitesh. Në janar, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, deklaroi se fondet për dy avionët janë parashikuar në buxhetin e vitit 2026 dhe se kontrata ishte ende në negocim. Sipas tij, njëri avion mund të mbërrijë gjatë këtij viti, por prodhimi i mjeteve dhe trajnimi i pilotëve e shtyjnë përdorimin e tyre në operacionet zjarrfikëse deri në vitin 2027.
Këto deklarata ndryshojnë nga ato të gushtit 2025, kur Vëngu kishte thënë se fondet ishin siguruar dhe procedurat e blerjes kishin përfunduar. Ministria sqaroi më pas se bëhej fjalë për avionë shumërolësh, me funksione ushtarake dhe kapacitete shtesë për ndërhyrje në zjarre, jo për avionë të dedikuar vetëm për emergjencat civile.
Premtimi për sigurimin e dy avionëve daton të paktën nga viti 2023. Afatet e deklaruara kanë kaluar nga fundi i vitit 2025 dhe fillimi i vitit 2026, te vera e vitit 2025 dhe tashmë te operacionalizimi gjatë vitit 2027. Në përgjigjen më të fundit për Faktoje, Ministria e Mbrojtjes është shprehur vetëm se informacioni mbi kontratën do të bëhet publik në një komunikim të mëvonshëm.
Paqartësia vijon pas një prej sezoneve më të rënda të zjarreve në vend. Të dhënat e EFFIS tregojnë se gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan rreth 132 zjarre, të cilat dogjën afro 60 mijë hektarë tokë, pyje dhe kullota. EFFIS përfshin në statistikat e tij kryesisht zjarret me sipërfaqe rreth 30 hektarë ose më të madhe.
Deri në sigurimin e kapaciteteve kombëtare, Shqipëria vijon të mbështetet te helikopterët dhe te ndihma ajrore e vendeve partnere. Gjatë zjarreve të vitit 2025, avionë dhe helikopterë nga disa shtete ndërhynë në territorin shqiptar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian dhe marrëveshjeve dypalëshe.