FETO vazhdon të veprojë në Shqipëri nën maska të ndryshme! - Ambasadori i Turqisë, Erciyes, përkujton 15 Korrikun në Tiranë
Institucionet turke në Shqipëri kanë shënuar në Tiranë 10-vjetorin e tentativës së dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016 në Turqi, me një ceremoni përkujtimore dhe një panel kushtuar rezistencës demokratike. Aktivitetet u zhvilluan nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, ndërsa në ceremoninë e mbajtur pranë Memorialit të Dëshmorëve të 15 Korrikut morën pjesë përfaqësues të institucioneve turke, organizatave të shoqërisë civile, familjarë të viktimave, si dhe qytetarë turq e shqiptarë.
Ambasadori turk në Tiranë, Barış Ceyhun Erciyes, e cilësoi 15 Korrikun si një fitore të demokracisë kundër tentativës për grusht shteti, për të cilën Ankaraja bën përgjegjëse organizatën FETO.
Në fjalën e tij, Erciyes paralajmëroi se, sipas autoriteteve turke, FETO vazhdon të ketë prani në disa vende mike, përfshirë Shqipërinë, duke vepruar nën forma të ndryshme, përfshirë organizata të shoqërisë civile, institucione arsimore dhe struktura të tjera publike ose private.
Ambasadori deklaroi se Turqia do të vazhdojë t’u shpjegojë autoriteteve dhe opinionit publik shqiptar rrezikun që, sipas Ankarasë, përbën kjo organizatë, me synimin që Shqipëria të mos përjetojë një situatë të ngjashme me atë të Turqisë.
Në kuadër të përvjetorit u zhvillua edhe paneli me temë “Vullneti kombëtar dhe rezistenca demokratike: 10-vjetori i 15 Korrikut”, ku morën pjesë përfaqësues politikë, institucionalë dhe studiues nga Turqia dhe Shqipëria.
Gjatë diskutimeve u theksua se tentativa e 15 korrikut 2016 nuk ishte vetëm një përpjekje për rrëzimin e qeverisë, por një sulm ndaj rendit kushtetues dhe institucioneve demokratike të Turqisë. Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për forcimin e institucioneve dhe rritjen e vigjilencës ndaj strukturave që synojnë të depërtojnë në aparatin shtetëror.
Turqia shënon 15 Korrikun si Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, në kujtim të 253 personave të vrarë gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti të vitit 2016.