Dua Lipa del në krah të protestave në Shqipëri: “Është frymëzuese të shohësh sa shumë kujdesen njerëzit për vendin e tyre!”
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka dalë publikisht në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner në zonën e Zvërnecit. Në një bisedë me shkrimtaren dhe akademiken Lea Ypi në podcastin e saj “Service95 Book Club”, Dua Lipa e cilësoi mobilizimin qytetar si frymëzues, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si janë ndryshuar ligjet që lidhen me mbrojtjen e zonave natyrore.
Sipas këngëtares, problemi kryesor qëndron te fakti se një qeveri mund të ndryshojë kuadrin ligjor dhe nivelin e mbrojtjes së një zone pa një konsultim të gjerë me publikun.
Deklarata e saj është pasqyruar nga gazeta britanike “The Guardian”, e cila shkruan se mbështetja e Dua Lipës përbën një nga ndërhyrjet publike më të profilit të lartë në favor të protestave të zhvilluara në Shqipëri gjatë javëve të fundit.
Protestuesit kundërshtojnë projektet e mëdha turistike të parashikuara në zona të ndjeshme mjedisore, veçanërisht në Zvërnec, si dhe ndryshimet ligjore të vitit 2024 që, sipas kritikëve, kanë dobësuar mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe kanë hapur rrugën për zhvillime të mëdha ndërtimore.
“The Guardian” thekson se nuk ka prova që Jared Kushner të ketë pasur rol në ndryshimin e ligjit, por projekti i mbështetur prej tij është vendosur në qendër të debatit publik për shkak të përmasave dhe ndikimit të mundshëm në mjedis.
Reagimi i Dua Lipës është mirëpritur edhe nga organizata mjedisore shqiptare, të cilat e konsiderojnë ndërhyrjen e saj të rëndësishme për t’i dhënë çështjes një jehonë më të madhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka vijuar t’i mbrojë projektet, duke i konsideruar ato investime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Me deklaratën e saj, Dua Lipa i ka dhënë një tjetër dimension ndërkombëtar protestës, duke u pozicionuar publikisht në mbështetje të qytetarëve që kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje për zonat natyrore të Shqipërisë.