Lidhje


Përçarje në PS: Gjiknuri voton me PD-në, përplaset me Manjën për kullat eolike dhe braktis mbledhjen

 

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi projektligjin për ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, ku debatet u përqendruan te ndikimi i impianteve eolike në tokat bujqësore. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, kundërshtoi projektligjin, duke argumentuar se ndërtimi i kullave eolike kërkon shpime dhe struktura të mëdha betoni, të cilat, sipas tij, dëmtojnë tokën bujqësore.

 

Gjatë votimit të nenit të parë, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, votoi kundër së bashku me dy deputetë të PD-së dhe kërkoi sqarime nga përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse. Edhe pas shpjegimeve se strukturat do të vendosen pa baza betoni, Gjiknuri shprehu dyshime.

 

“Një kullë 100 metra e lartë për një park eolik nuk ka shans të vendoset pa strukturë betoni. Nuk jam i bindur me shpjegimet tuaja”, deklaroi ai.

 

Debati vazhdoi edhe në fund të mbledhjes, kur deputeti Gent Strazimiri kërkoi të vijonte me pyetjet mbi projektligjin, por u kundërshtua nga kryetari i komisionit, Ulsi Manja. Përplasja mes Manjës dhe Gjiknurit përfundoi me largimin e këtij të fundit nga mbledhja.

XS
SM
MD
LG