Lidhje


Bedër drejt mbylljes: universiteti i lidhur me rrjetin gylenist nuk pritet të hapë më pranime të reja

 

Kolegji Universitar “Bedër” në Tiranë raportohet se është drejt mbylljes graduale të aktivitetit akademik, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm për një nga institucionet arsimore më të përfolura në raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë.

 

Sipas informacioneve të publikuara në media, Bedër nuk pritet të hapë pranime të reja për vitin akademik 2026–2027. Studentët që kanë përfunduar vitin akademik do të vijojnë procedurat e diplomimit, ndërsa ata që janë ende në proces studimi janë transferuar ose po transferohen në universitete të tjera, përmes një plani tranzicioni.

 

Zyrtarisht, Kolegji Universitar “Bedër” u themelua në vitin 2011 nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe funksionon si institucion jopublik, jofitimprurës i arsimit të lartë. Por përtej kësaj fasade institucionale, Bedër është përmendur shpesh në raportime dhe analiza ndërkombëtare si pjesë e rrjetit arsimor të lidhur me lëvizjen e Fethullah Gülenit në Shqipëri, një çështje që prej vitesh ka qenë burim tensioni politik mes Ankarasë dhe institucioneve shqiptare.

 

Arsyet e mbylljes së pritshme nuk janë bërë ende publike. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga drejtuesit e Bedër, Ministria e Arsimit apo ASCAL për ndërprerjen formale të aktivitetit. Në regjistrin zyrtar të ASCAL, institucioni vijon të figurojë me status “aktiv”, çka do të thotë se mbyllja ende nuk është shpallur zyrtarisht në nivel administrativ.

 

Megjithatë, mungesa e njoftimeve për pranime të reja dhe raportimet për transferimin e studentëve aktualë e bëjnë të qartë se institucioni ndodhet në një fazë të ndjeshme të tërheqjes nga aktiviteti akademik. Nëse konfirmohet, mbyllja e Bedër do të ishte jo vetëm një zhvillim në arsimin e lartë privat, por edhe një sinjal politik në raport me trashëgiminë e rrjetit gylenist në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG