Lidhje


Nga Tirana në Gjermani, dosja e izraelitit të call center-ave: 288 viktima dhe 26 milionë euro në lojë

 

Një dosje ndërkombëtare mashtrimi, me qendër te skemat e call center-ave dhe viktima kryesisht në Gjermani, është rikthyer në vëmendje pas publikimit të detajeve të reja për aktivitetin e izraelito-kanadezit Roy Garin, i njohur edhe me emrat Roy Garine, Mikael Finkle dhe Jean Merignac.

 

Garin u arrestua në Tiranë më 4 shkurt 2025, në zonën e Komunës së Parisit, pas një operacioni të FAST Albania në bashkëpunim me autoritetet gjermane. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Bambergut në Gjermani, nën akuzën e mashtrimit të përsëritur, vepër për të cilën ligji gjerman parashikon dënim deri në 15 vite burg.

 

Sipas raportimeve të fundit, drejtësia gjermane e akuzon Garin për mashtrimin e 288 personave përmes më shumë se 33 platformave online, me një dëm ekonomik që llogaritet në rreth 26.1 milionë euro. Hetuesit dyshojnë se kjo shifër përfaqëson vetëm një pjesë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

 

Çështja ka marrë përmasa të reja pas dyshimeve se aktiviteti i tij nuk është kufizuar vetëm jashtë vendit. Media investigative raportojnë se Garin dyshohet të ketë ngritur ose përdorur struktura call center-ash në Shqipëri, ndërsa fitimet e dyshuara nga mashtrimet online mund të jenë kanalizuar në biznese, ndërtim dhe struktura të tjera ekonomike.

 

Në këtë dosje është përmendur edhe emri i një shtetasi shqiptar, Kevin Shytaj, i cili dyshohet të ketë pasur rol menaxherial në fluksin e parave dhe në koordinimin e transfertave. Këto pretendime, të lidhura edhe me materiale të publikuara nga rrjeti i hakerave Homeland Justice, raportohet se janë nën verifikim nga organet ligjzbatuese shqiptare.

 

Deri tani, ajo që mbetet e konfirmuar zyrtarisht është arrestimi i Roy Garin në Shqipëri, kërkesa gjermane për ekstradim dhe akuzat për mashtrim të përsëritur në kuadër të një skeme të gjerë ndërkombëtare. Ndërsa pjesa shqiptare e rrjetit, bashkëpunëtorët e mundshëm dhe dyshimet për pastrim parash mbeten çështje që kërkojnë hetim të plotë dhe prova zyrtare nga drejtësia.

XS
SM
MD
LG