FT nxjerr zbuluar projektin e Kushner në Shqipëri: Resort luksoz mbi tokë të kontestuar dhe zonë të mbrojtur
Projekti turistik i Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Zvërnec dhe Sazan është vendosur sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, këtë herë nga prestigjiozja britanike Financial Times, e cila e përshkruan çështjen si një përplasje të madhe mes zhvillimit luksoz, mbrojtjes së natyrës dhe të drejtës së pronës në Shqipëri.
Në artikullin me titull “Flamingot e Shqipërisë përballë buldozerëve të familjes Trump”, FT shkruan se projekti në zonën e Vjosë-Nartës, një nga hapësirat më të egra të Adriatikut dhe habitat i rëndësishëm për flamingot, pelikanët dhe shpendët shtegtarë, ka shkaktuar protesta masive në Tiranë, të njohura tashmë si “Revolucioni i Flamingove”.
Sipas gazetës, zemërimi publik u ndez pas publikimit të pamjeve ku një banor i zonës tërhiqej me forcë nga rojet private jashtë territorit të rrethuar rishtazi. Prej asaj kohe, protestat kundër projektit janë kthyer në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Financial Times thekson se qeveria shqiptare ndryshoi ligjin në vitin 2024, duke lejuar ndërtime turistike të kategorisë “5 yje ose më lart” edhe në zona të mbrojtura. Vetëm pak kohë më pas, Jared Kushner publikoi pamjet e projektit për bregdetin e Zvërnecit.
Një masterplan paraprak, i cituar nga FT, parashikonte ndërtimin e hoteleve, vilave, qindra apartamenteve, zonave tregtare, fushës së golfit, parkut ujor, kazinosë, marinës dhe klubit të jahteve. Një pjesë e këtyre ndërhyrjeve prekte edhe zonën e lagunës ku jetojnë flamingot.
Qeveria shqiptare pretendon se ky plan është rrëzuar dhe se një projekt i ri do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis. Por ambientalistët kundërshtojnë këtë argument, duke thënë se nuk mund të flitet për mbrojtje të natyrës kur në një nga zonat më të egra të Adriatikut parashikohet ndërtimi i një kompleksi të madh turistik.
Artikulli ndalet edhe te konflikti i pronësisë. Banorët e Zvërnecit pretendojnë se tokat u përkasin familjeve të tyre që pas vitit 1991, por më vonë kanë dalë dokumente pronësie në emër të biznesmenit Artur Shehu. Ky i fundit përmendet në artikull si person nën hetim për trafik droge dhe pastrim parash, ndërsa toka e lidhur me projektin është objekt beteje gjyqësore prej më shumë se një dekade.
Një tjetër pikë e ndjeshme është ishulli i Sazanit, ku parashikohet një tjetër zhvillim luksoz. Financial Times citon ish-komandantin e Marinës Shqiptare, Artur Meçollari, i cili e konsideron ishullin shumë të vështirë për zhvillim për shkak të erërave të forta, mungesës së ujit të pijshëm, ndërtesave ushtarake të braktisura, tuneleve dhe rrezikut nga municionet e pashpërthyera.
Nga ana tjetër, zhvilluesit e projektit thonë se synojnë të krijojnë një destinacion të klasit botëror, duke respektuar mjedisin dhe duke sjellë përfitime ekonomike afatgjata për Shqipërinë. Kryeministri Rama ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se ai do të sjellë rigjenerim të zonës dhe përfitime për rezervatin natyror.
Por sipas Financial Times, debati tashmë ka kaluar përtej një projekti turistik. Çështja është kthyer në një provë për shtetin shqiptar: nëse Shqipëria do të mbrojë natyrën, pronën dhe standardet europiane, apo do t’i hapë rrugë zhvillimeve luksoze në zona të mbrojtura, nën hijen e dyshimeve për korrupsion dhe konflikt pronësie.