Lidhje


Plas denoncimi në Shëndetësi: “Allajbeu po kontrollon tenderat, ministria po firmos nën presion”

 

Një denoncim i rëndë, i ardhur nga brenda Ministrisë së Shëndetësisë, ngre dyshime për një skemë të gjerë ndikimi, presioni dhe vendimmarrjesh të dyshimta në disa prej sektorëve më të ndjeshëm të sistemit shëndetësor.

 

Sipas burimeve të JOQ, një punonjës i institucionit pretendon se brenda ministrisë është krijuar një klimë frike dhe presioni ndaj stafit teknik, ndërsa vendimmarrje të rëndësishme po orientohen nga interesa private të lidhura me kontrata, tendera dhe shërbime publike me vlerë miliona euro.

 

Në denoncim përmenden drejtues të lartë administrativë të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë Sekretaren e Përgjithshme, Ilda Malile, dhe Shefen e Kabinetit, të cilat, sipas burimit, kanë rol në përcjelljen e urdhrave dhe udhëzimeve drejt punonjësve të administratës. Denoncuesi pretendon se këto vendimmarrje nuk janë transparente dhe se stafi është vënë nën presion për të firmosur apo ndjekur procedura të caktuara.

 

Një nga emrat kryesorë që përmendet në denoncim është ai i Klodian Allajbeut, i lidhur me Spitalin Amerikan. Sipas punonjësit, Allajbeu dhe persona të afërt me të kanë akses të vazhdueshëm në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ndikim mbi vendimmarrje që lidhen me tendera, kontrata dhe shërbime të rëndësishme publike.

 

Një nga pikat më të forta të denoncimit lidhet me procesin e sterilizimit. Sipas burimit, ky proces është mbyllur në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me kontratat ekzistuese, duke rrezikuar ekspozimin e shtetit shqiptar ndaj një procesi të mundshëm në arbitrazh ndërkombëtar. Denoncuesi pretendon se punonjës të ministrisë janë detyruar të firmosin dokumente nën presion, ndërsa përfitues të kësaj situate, sipas tij, mund të jenë subjekte të lidhura me interesa private në sektorin e shëndetësisë.

 

Në denoncim përmendet edhe shoqëria “Oshis Sh.a”, me administratore Arisa Canen, e cila përshkruhet nga burimi si ish-punonjëse dhe person i afërt me Klodian Allajbeun. Sipas pretendimeve, tendera të ndryshëm, përfshirë furnizime, mirëmbajtje dhe shërbime që lidhen me mbetjet spitalore, po orientohen drejt kësaj linje interesi. Denoncuesi përmend një vlerë rreth 6 milionë euro për disa nga këto procedura.

 

Një tjetër pjesë e denoncimit lidhet me programin e check-up-it, shërbimet laboratorike dhe dializën. Sipas punonjësit të ministrisë, mbi stafin teknik po ushtrohet presion për të gjetur rrugë ligjore apo administrative që do të mundësonin ruajtjen, ristrukturimin ose menaxhimin e kontratave ekzistuese të PPP-ve në këtë sektor. Burimi pretendon se udhëzimet vijnë nga nivele të larta të ministrisë dhe më pas përcillen te punonjësit përmes zinxhirit administrativ.

 

Autori i denoncimit thotë se shumë punonjës ndihen të frikësuar dhe të pamundur për të folur publikisht, për shkak të varësisë ekonomike nga vendi i punës dhe frikës nga ndëshkimi administrativ. Ai thekson se punonjësit janë familjarë dhe prindër që jetojnë me paga modeste, ndaj nuk kanë mundësi të ekspozohen hapur, por kërkojnë që denoncimi të bëhet publik dhe institucionet ligjzbatuese të vihen në lëvizje.

 

Denoncuesi i bën thirrje SPAK-ut dhe opinionit publik të verifikojnë tenderat, kontratat dhe vendimmarrjet e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, veçanërisht ato që lidhen me sterilizimin, check-up-in, laboratorët, dializën, mbetjet spitalore dhe kompaninë “Oshis Sh.a”.

 

Për shkak të peshës së akuzave, çështja kërkon verifikim të menjëhershëm institucional. Nëse pretendimet rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një skemë të rëndë ndikimi privat mbi vendimmarrjen publike në një nga sektorët më jetikë për qytetarët: shëndetësinë.

XS
SM
MD
LG