Trondit media izraelite: Rama, Kushner dhe biznesmeni Ron Yefet në qendër të skandalit të Zvërnecit
Një investigim i publikuar nga mediat izraelite TheMarker dhe Haaretz ka vendosur Shqipërinë në qendër të një skandali politik ndërkombëtar, duke lidhur protestat kundër projektit në Zvërnec me marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama, biznesmenit izraelit Ron Yefet dhe projektit turistik të promovuar nga Jared Kushner.
Artikulli, i titulluar “Flamingot, Kushneri dhe një biznesmen izraelit: në brendësi të stuhisë politike në Shqipëri”, e përshkruan valën e protestave në Shqipëri si krizën më serioze politike me të cilën po përballet Rama. Në qendër të zemërimit publik është projekti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, i cili sipas kritikëve rrezikon lagunën, ekosistemin dhe habitatin e flamingove.
Por sipas mediave izraelite, çështja nuk ndalet vetëm te mjedisi. Investigimi e zgjeron debatin te lidhjet e Ramës me Izraelin dhe me biznesmenin Ron Yefet, i përshkruar si mik i afërt personal i kryeministrit dhe aktor me interesa të shumta biznesi në Shqipëri, nga pasuritë e paluajtshme dhe infrastruktura deri te industria e mbrojtjes.
Në raportim përmendet kompania shtetërore shqiptare KAYO, e cila bashkëpunon me kompaninë e Yefet për prodhimin e automjeteve të blinduara, ambulancave, kamionëve zjarrfikës dhe pajisjeve të tjera. Sipas artikullit, këto produkte u shiten institucioneve shqiptare, vendeve afrikane dhe shteteve anëtare të NATO-s.
Investigimi rikthen në vëmendje edhe akuzat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili e ka cilësuar më herët “projektin Kayo” si një operacion korruptiv për kalimin e aseteve shtetërore në duar private. Po ashtu, artikulli përmend pretendimet e opozitës shqiptare se Yefet ka përdorur afërsinë me Ramën për interesa private biznesi, përfshirë edhe tentativa të lidhura me borxhin publik shqiptar.
Një tjetër pikë e ndjeshme është vizita e Ramës në Izrael. Sipas raportimit, udhëtimi nuk është financuar nga qeveria shqiptare, ndërsa mbetet ende e paqartë se kush e ka paguar fluturimin. Kjo çështje ishte ngritur më parë edhe nga media shqiptare Reporter.al.
Në artikull përmenden edhe deklaratat e Ramës, i cili ka akuzuar kundërshtarët e projektit se po ushqejnë narrativa antisemitike dhe teori të rreme për marrëveshje me Kushner dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për zhvendosjen e palestinezëve në Shqipëri. Rama i ka quajtur këto pretendime “fantazi”.
Ron Yefet, në reagimin e tij për gazetën izraelite, ka mohuar akuzat dhe ka thënë se figura të opozitës shqiptare po e përdorin atë dhe biznesmenë të tjerë për të sulmuar kryeministrin. Edhe zyra e Ramës i ka cilësuar akuzat për korrupsion si “plotësisht të pabaza”, duke deklaruar se KAYO është ngritur sipas standardeve ndërkombëtare të bashkëpunimit publik-privat.
Megjithatë, përfundimi i investigimit është politikisht i rëndë për qeverinë shqiptare: lidhja mes biznesit privat, pushtetit politik dhe marrëdhënieve personale të Ramës me Ron Yefet po bashkohet me revoltën qytetare kundër projektit në Zvërnec. Sipas mediave izraelite, kjo përzierje mund të kthehet në kërcënimin më serioz ndaj pushtetit të kryeministrit shqiptar.