BE rrëzon propagandën e turizmit: Shqipëria e fundit në Europë për ujërat e plazheve
Shqipëria renditet e fundit në Europë për cilësinë e ujërave të larjes, sipas raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit dhe Komisionit Evropian për sezonin 2025. Raporti, i publikuar në qershor 2026, analizon cilësinë e ujërave në plazhe, liqene dhe lumenj në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në Shqipëri dhe Zvicër.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri janë monitoruar gjithsej 119 pika larjeje, nga të cilat 113 janë në bregdet dhe 6 në ujëra të brendshme. Rezultati është problematik: vetëm 20 pika, ose 16.8%, janë klasifikuar me cilësi “të shkëlqyer”. Ndërkohë, 45 pika janë vlerësuar “mirë”, 26 “të mjaftueshme”, ndërsa 28 pika, ose 23.5%, janë klasifikuar me cilësi “të dobët”.

Kjo e vendos Shqipërinë në fund të renditjes europiane, në një kohë kur mesatarja e Bashkimit Evropian për ujërat me cilësi të shkëlqyer është rreth 85%, ndërsa vetëm 1.5% e ujërave në BE klasifikohen si “të dobëta”. Pra, në Shqipëri, pesha e ujërave problematike është shumëfish më e lartë se mesatarja europiane.
Raporti vlerëson cilësinë e ujit mbi bazën e dy treguesve mikrobiologjikë: Escherichia coli dhe enterokokët intestinalë, të cilët përdoren për të matur ndotjen fekale dhe rrezikun për shëndetin e pushuesve. Ekspozimi ndaj ujërave të ndotura mund të shkaktojë probleme gastrointestinale, infeksione të veshit, syve dhe rrugëve të frymëmarrjes.

Sipas raportimit të Lapsi.al, zonat më problematike mbeten disa segmente të bregdetit të Durrësit, plazhi i vjetër në Vlorë, disa plazhe në Sarandë dhe zona të bregut të liqenit të Pogradecit. Shkaqet kryesore lidhen me derdhjen e ujërave të zeza të patrajtuara në dete, lumenj dhe liqene, mosfunksionimin e plotë të impianteve të trajtimit dhe ndotjen që zbret nga lumenjtë drejt vijës bregdetare.
Të dhënat bien ndesh me narrativën zyrtare të “Shqipërisë turistike”, në një moment kur qeveria promovon rritjen e numrit të vizitorëve dhe zhvillimin e bregdetit si motor ekonomik. Por raporti tregon se infrastruktura mjedisore nuk ka ecur me të njëjtin ritëm me turizmin, duke ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë e pushuesve dhe menaxhimin e ujërave të ndotura.

Në vendet më të mira të Europës, si Qipro, Greqia, Bullgaria dhe Austria, mbi 95% e ujërave të larjes janë klasifikuar me cilësi të shkëlqyer. Shqipëria, përkundrazi, mbetet në fund të listës, me vetëm një në gjashtë pika larjeje të vlerësuara në standardin më të lartë.
