Berisha sfidon protestuesit për qeverinë tranzitore: Pa Kuvend nuk ka zgjidhje
Sali Berisha është shprehur kundër propozimit që qeveria tranzitore të krijohet përmes shortit apo përmes një asambleje jashtë Kuvendit, duke vendosur si vijë të kuqe respektimin e kornizës kushtetuese.
Kreu i Partisë Demokratike tha se e mbështet në parim kërkesën e protestuesve për një qeveri tranzitore jopartiake, por kundërshton mënyrën e propozuar për krijimin e saj. Sipas tij, qeveria duhet të jetë e përbërë nga ekspertë dhe figura jopolitike, por duhet të dalë nga një marrëveshje mes forcave politike dhe të marrë votëbesimin në Parlament.
“Qeveri jopartiake, e përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, e cila mbi bazën e një marrëveshjeje të forcave politike në Parlament, do të marrë votëbesimin e plotë. Ajo duhet të votohet nga Parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë vendin në zgjedhje”, u shpreh Berisha.
Qëndrimi i Berishës e ndan PD-në nga pjesa më radikale e planit të artikuluar në protestë, ku është propozuar ngritja e një Asambleje Kombëtare të Tranzicionit me 101 anëtarë të zgjedhur me short publik. Sipas këtij plani, asambleja do të kishte mandat 12-mujor, do të emëronte një qeveri tranzitore, do të hartonte një Kushtetutë të re, do ta çonte në referendum dhe më pas do të organizonte zgjedhje të reja.
Berisha e ka cilësuar të papranueshme çdo zgjidhje që anashkalon Kuvendin. Ai ka theksuar se nuk mund të dalë jashtë Kushtetutës dhe se Parlamenti mbetet institucioni i vetëm që mund të votojë një qeveri tranzitore dhe t’i japë asaj legjitimitet institucional.
Ndërkohë, për një tjetër pikë të kërkesave të protestuesve, kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate, Berisha është shprehur plotësisht dakord. Ai tha se Partia Demokratike është e gatshme ta votojë menjëherë këtë nismë në Parlament dhe t’u bëjë thirrje qytetarëve ta mbështesin.
Kështu, Berisha mbështet kërkesën për qeveri teknike jopartiake, largimin e Ramës dhe kufizimin e mandateve, por refuzon formulën e shortit dhe çdo model tranzicioni që zhvendos vendimmarrjen jashtë institucioneve parlamentare.