Zgjedhjet në Kosovë - Vetëvendosje siguron mandatin e 53-të në Kuvend
Kur kanë mbetur edhe tetë kuti për t’u numëruar nga votat me postë, rezultati paraprak i zgjedhjeve në Kosovë ka sjellë një ndryshim në ndarjen e mandateve parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar një mandat shtesë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 53 mandate në Kuvendin e Kosovës. Ky ndryshim ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës të zbresë në 18 mandate.
Sipas rezultatit të deritanishëm, Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 22 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 mandate. Votat e diasporës, ato të hedhura në përfaqësitë diplomatike dhe votat me postë i kanë shtuar Vetëvendosjes gjithsej pesë mandate. Nga votimi i rregullt brenda Kosovës, partia kishte siguruar 48 mandate.
Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të nisë procesi i numërimit të më shumë se 8 mijë votave me kusht, si dhe mbi 3 mijë votave të personave me nevoja të veçanta.