Veliaj lobon në SHBA me paratë e grabitura si kryebashkiak: ironikisht, synon edhe institucionet që mbështesin SPAK-un
Fushata e lobimit e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Shtetet e Bashkuara duket se është zgjeruar përtej kontakteve me politikanë dhe organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe institucione amerikane që kanë luajtur rol në mbështetjen dhe forcimin e SPAK-ut.
Më 17 shkurt të këtij viti, firma ligjore amerikane “Kasowitz Benson Torres” i dërgoi një kërkesë zyrtare për takim Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorëve Jashtë Vendit (OPDAT), pjesë e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, në emër të Erion dhe Arbër Veliajt. Dy ditë më vonë u dërgua edhe një komunikim i dytë. Dokumentacioni i depozituar në regjistrin FARA nuk tregon nëse takimi është zhvilluar, por konfirmon interesimin për të vendosur kontakte me institucione që kanë mbështetur reformën në drejtësi në Shqipëri.
Sipas dokumenteve të regjistruara pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, shpenzimet për këtë aktivitet lobues kanë arritur në rreth 430 mijë dollarë që nga gushti i vitit 2025. Nga kjo shumë, afro 220 mijë dollarë janë paguar gjatë muajve gusht-shtator 2025, ndërsa pjesa tjetër, rreth 210 mijë dollarë, është shpenzuar gjatë periudhës tetor 2025 – mars 2026.
Pagesat, sipas dokumentacionit të FARA-s, janë kryer nga Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit të kaluar, pasi u arrestua nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ai po përballet me proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme, ndërsa bashkë me të janë marrë të pandehur edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka dhe disa persona të tjerë. Të gjithë kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK.
I pyetur mbi kontaktet me OPDAT dhe aktivitetin e lobimit në SHBA, kabineti ligjor amerikan i Veliajt argumentoi se komunikimet lidhen me rolin që ky institucion ka pasur në krijimin dhe mbështetjen e SPAK-ut. Sipas avokatëve, aktiviteti i ndërmarrë synon mbrojtjen e të drejtave të klientit të tyre dhe ngritjen e shqetësimeve mbi atë që ata e konsiderojnë përdorim të padrejtë të paraburgimit.
Zhvendosja e fokusit
Dy firmat ligjore të kontraktuara nga Arbër Veliaj, “Kasowitz Benson Torres” në Nju Jork dhe “Mishcon de Reya” në Londër, kanë zhvilluar një fushatë të gjerë komunikimi dhe marrëdhëniesh publike në mbështetje të kryebashkiakut.
Raporti më i fundit i depozituar në FARA tregon se aktiviteti ka përfshirë komunikime me senatorë, kongresmenë, zyrtarë të administratës amerikane dhe organizata ndërkombëtare, si dhe shpërndarje materialesh që paraqesin pozicionin e mbrojtjes së Veliajt.
Ndryshe nga fazat e mëparshme, ku fokusi kryesor ishte kritika ndaj prokurorit Olsi Dado, dokumentet e reja tregojnë një orientim më të madh drejt institucioneve që mbështesin SPAK-un dhe reformën në drejtësi. Sipas asaj që raporton BIRN, firma amerikane ka deklaruar në formularët e saj se ka ofruar informacione lidhur me financimin dhe trajnimet e mbështetura nga SHBA për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mes kontakteve të evidentuara në dokumente përfshihen komunikime me drejtues dhe zyrtarë të OPDAT-it, përfshirë drejtorin Gregory Ducot, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit.
Kontakte me Kongresin dhe organizatat ndërkombëtare
Rreth 210 mijë dollarët e paguar gjatë muajve të fundit përkojnë me një seri komunikimesh intensive me institucione dhe aktorë të ndryshëm amerikanë.
Sipas dokumenteve të FARA-s, firma lobuese ka kontaktuar stafet e të paktën 15 senatorëve amerikanë, mes tyre Chuck Grassley, Lindsey Graham, Chris Murphy dhe Jeanne Shaheen. Gjithashtu janë regjistruar kontakte me rreth 19 zyra të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Qëllimi i deklaruar i këtyre komunikimeve ka qenë informimi mbi atë që përshkruhet si çështje që lidhen me procesin ligjor të Erion Veliajt.
Aktiviteti është shtrirë edhe te organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe institucione kërkimore. Dokumentet tregojnë se janë dërguar kërkesa për takime dhe materiale informuese pranë Amnesty International, Freedom House, Komisionit Lantos për të Drejtat e Njeriut dhe ekspertëve të American Enterprise Institute.
Në dosjen e paraqitur pranë autoriteteve amerikane përfshihen gjithashtu raporte të hartuara nga zyrat ligjore të kontraktuara, komunikata për shtyp të shpërndara në rrjetin PR Newswire, si dhe materiale shtesë si platforma Justice4Erion.com, një artikull i publikuar në median EU Reporter dhe artikuj nga media shqiptare që kanë raportuar mbi procesin penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës./joq