Lidhje


Marshimi drejt Rinasit ndez përçarjen: kush e çoi protestën te aeroporti pas mesnate?

 

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, në ditën e 15-të të saj, mbrëmjen e së dielës një pjesë e protestuesve u nis nga bulevardi dhe vijoi marshimin drejt Rinasit, në afërsi të aeroportit “Nënë Tereza”.

 

Rreth orës 00:26, pas mesnate, grupi mbërriti te mbikalimi i Rinasit. Marshimi më pas vijoi në drejtim të aeroportit, ku protestuesit qëndruan deri rreth orës 02:00 të mëngjesit.

 

Policia ndërhyri duke vendosur kordon, me qëllim që turma të mos afrohej më tej drejt aeroportit. Uniformat blu u kërkuan qytetarëve të mos bllokonin rrugën, duke i paralajmëruar se veprimet e tyre konsideroheshin të paligjshme.

 

 

Pas disa minutash qëndrimi përballë kordonit policor, protestuesit vendosën të tërhiqeshin. Gjatë largimit nuk munguan thirrjet drejtuar efektivëve: “Bashkohuni me ne!”, “Hiqni kapelet!”, “Policia është e jona, jo e Edi Ramës”. Pavarësisht tensionit të krijuar nga situata, marshimi u mbyll pa incidente dhe pa përplasje fizike mes qytetarëve dhe policisë.

 

Megjithatë, vendimi i një grupi protestuesish për të marshuar drejt aeroportit në orët e vona të natës ka shkaktuar debate të forta në rrjetet sociale. Një nga reagimet e para erdhi nga Gent Progni, i cili është pjesë e grupit që merret me mbarëvajtjen e protestës.

 

Në kohën kur të rinjtë po lëviznin drejt Rinasit, Progni reagoi në rrjetet sociale, duke deklaruar se ishte bërë thirrje që grupi të kthehej pas.

 

“Përçarës në çdo cep! I kemi filmuar të gjithë ata që po bëjnë tentativa për prishjen e protestës, duke kërkuar përplasje me policinë”- shkruan ai.

 

Pak minuta më vonë, Progni publikoi një tjetër reagim, këtë herë përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale. Në pamje shfaqej një protestues, për të cilin eksperti i IT-së pretendoi se ishte prezantuar si polic dhe po kërkonte përplasje me uniformat blu.

 

Deklaratat e Prognit sollën edhe kundërreagime nga vetë protestuesit. Një prej tyre, Irini Myftaraj, u shpreh se turma drejt Rinasit ishte udhëhequr pikërisht nga Progni, i cili sipas saj po përpiqej të fshihej pas personit të akuzuar si “përçarës”.

 

 

Myftaraj e quajti Prognin “tradhëtar”, ndërsa shtoi se që në nisje të protestave ngritja e podiumit para zyrës së qeverisë kishte qenë e dyshimtë.

 

Ndërkohë, edhe një prej aktivistëve të përfshirë në organizimin e protestës, i njohur në Instagram me profilin “Banka e fundit”, është distancuar nga marshimi drejt Rinasit. Ai tha se vendimi për të shkuar në aeroport nuk ishte marrë prej tyre, për shkak të largësisë, duke theksuar se synimi mbetet mbajtja e protestës brenda Tiranës.

 

XS
SM
MD
LG